BALLKANI

Inaugurohet shtëpia botuese e Universitetit të New Yorkut në Tiranë

Shtëpia Botuese UNYT Press është inauguruar gjatë një aktiviteti të organizuar në ambientet e kampusit të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif

Fatjon Cuka  | 13.06.2023 - Përdıtësım : 14.06.2023
Inaugurohet shtëpia botuese e Universitetit të New Yorkut në Tiranë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Shqipëri është inauguruar hapja e Shtëpisë Botuese UNYT Press, e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, si dhe botimi i saj i parë që është libri i kumtesave të mbajtura në Konferencën e Parë Ndërkombëtare mbi "Mësimdhënien e turqishtes dhe studimet mbi turkologjinë në Ballkan", raporton Anadolu.

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e kampusit të UNYT-së, Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, hapjen e shtëpisë botuese të UNYT-së e konsideroi një ditë shumë të rëndësishme.

Ambasadori Atay tha se janë krenarë të shohin se UNYT po përparon në botën akademike shqiptare dhe rajonin e Ballkanit.

"Mbaj mend që dikur kishte një moto që UNYT ja do të jetë Harvardi i Ballkanit. Kështu që mendoj se arritja e këtij qëllimi është ambicioz. Mendoj se progresi i sotëm që universiteti ka shtëpinë e tij botuese është një hap i rëndësishëm drejt këtij objektivi", tha ambasadori turk.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit të Shqipërisë, Alda Bardhyli, në fjalën e saj theksoi se hapja e një shtëpie botuese universitare është një ngjarje që ka të bëjë me kulturën, botën shkencore, botën akademike dhe me edukimin që sipas saj ka një rol të rëndësishëm për shoqërinë.

"Mendoj që një hap i tillë tregon edhe vizionin e drejtuesve të këtij universiteti me standarde të larta, që vetëm me hapësira të tilla të dijes mund të kontribuojë për një shoqëri dhe për një botë më të kulturuar nesër. Uroj që kjo shtëpi botuese të ketë një jetë të gjatë, të ketë sa më shumë botime cilësore, të ketë sa më shumë autorë dhe përkthime qoftë edhe nga kultura e madhe turke që vazhdon të jetë e pranishme në gjuhën shqipe, por duhet të jetë akoma më shumë e pranishme", tha Bardhyli.

Rektori i UNYT-së, Prof. Dr. Erkan Erdemir, në fjalën e tij e konsideroi hapjen e shtëpisë botuese një moment të ri për universitetin. "Si universitet, përgjegjësia jonë kryesore është mësimdhënia dhe gjithashtu kërkimi, kërkimi për të krijuar njohuri të avancuara për gjeneratat tona dhe gjithashtu për gjeneratat e ardhshme", tha Erdemir.

Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi, drejtoreshë e Qendrës së Studimeve Ballkanike pranë UNYT-së, theksoi se rëndësia e shtëpisë botuese universitare është se ajo krijon një platformë për promovimin dhe zhvillimin e dijes shkencore brenda universitetit dhe jashtë tij, si dhe inkurajon punën e kërkimit shkencor, ndihmon në rritjen e reputacionit akademik të universitetit dhe kontribuon në zhvillimin e fushave të ndryshme të dijes.

"Me hapjen e kësaj shtëpie botuese, universiteti ynë angazhohet në një mision të rëndësishëm për të inkurajuar, mbështetur, dhe promovuar krijimtarinë intelektuale të pedagogëve tanë, e cila tashmë do të jetë e dukshme për një audiencë edhe më të gjerë. Ky hap i sotëm tregon angazhimin e universitetit për të krijuar një mjedis ku dija dhe idetë e reja të ndjehen të lira dhe të përkrahura nga dikush", tha ajo.

Sipas Latifit, UNYT Press synon të bashkëpunojë me Projektin Teda të Ministrisë së Kulturës në Türkiye, për përkthimet letrare, historike dhe filozofike nga turqishtja në shqip dhe sidomos nga shqipja në turqisht.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.