Igor Popoviq pranon fajësinë për vepër penale në Kosovë
Popoviq akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve

Prishtinë
Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka pranuar fajësinë para drejtësisë së shtetit të Kosovës për veprën penale "nxitje të përçarjes dhe mosdurimit", transmeton Anadolu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur se Popoviq akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.
Sipas aktakuzës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: "...Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t'i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t'i përzë nga këtu, nga UÇK - organizatë terroriste".
Pas kësaj, shtetasi serb ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: "Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe...".
Popoviq akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
"I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë", thuhet në njoftim.
- Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoçë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si "organizatë terroriste" dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore. Ndërsa më 21 korrik atij iu caktua masa e paraburgimit për 1 muaj.
Ndalimi dhe paraburgimi i Popoviqit në Kosovë, pasoi me një arrestim të një shtetasi të Kosovës në Serbi, në mbrëmjen e 22 korrikut. Shtetasi kosovar Lulzim Halili u arrestua rreth 100 kilometra nga Beogradi, në Svilajnac dhe u dërgua në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti, ku më pas ju caktuan 30 ditë paraburgim nën dyshimin "për kryerjen e veprës penale të organizimit dhe nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës".
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 20 korrik, pasi Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej 1 muaji, se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për këtë masë, duke shtuar se "kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme".
Pas deklarimit të Vuçiq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i konsideroi si kërcënuese deklaratat e presidentit serb.
Bashkimi Evropian (BE), nga ana tjetër, tha se po e përcjell rastin për së afërmi dhe presin që "sundimi i ligjit dhe procedura përkatëse të respektohen në tërësi".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.