Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare vijon të jetë më dinamike sesa mesatarja e BE-së dhe vendeve të rajonit
Ministrja Ibrahimaj mbajti një konferencë për mediat me temë: "Stabilitet dhe zhvillim përmes ekonomisë dhe inovacionit", mbi zhvillimet e fundit mbi ekonominë e Shqipërisë dhe drejtimet kryesore të politikave të reja
Tiranë
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se ekonomia shqiptare vijon të jetë më dinamike sesa mesatarja e Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të rajonit, raporton Anadolu.
Ministrja Ibrahimaj mbajti një konferencë për mediat me temë: "Stabilitet dhe zhvillim përmes ekonomisë dhe inovacionit", mbi zhvillimet e fundit mbi ekonominë e Shqipërisë dhe drejtimet kryesore të politikave të reja.
"Dje INSTAT (Instituti i Statistikave) ka publikuar shifrat për zhvillimet më të fundit ekonomike për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili për tremujorin e dytë të vitit 2025 rezultoi në 3,51 për qind, një rritje e cila është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e rritjes së Bashkimit Evropian, por më e lartë edhe se zhvillimet e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor", tha Ibrahimaj.
Ajo u shpreh se sa i përket kompetentëve që kanë ndikuar në rritjen ekonomike nga këndvështrimi i shpenzimeve, kërkesa e brendshme ka qenë ajo që ka dhënë kontributin kryesor në këtë rritje.
Ibrahimaj theksoi se kërkesa e brendshme u ndikua si nga konsumi ashtu edhe nga investimet.
"Treguesit e tregtisë së jashtme tregojnë për një kërkesë në rritje të huaj të produkteve shqiptare, që është gjithashtu një sinjal pozitiv për ecurinë e ekonomisë. Investimet e huaja direkte vlen të përmenden pasi jo vetëm kanë pasur një ecuri pozitive gjatë tremujorit të dytë, por kanë pasur një ecuri pozitive gjatë gjithë tremujorëve të viteve të fundit", tha ajo.
Ibrahimaj u shpreh ndër të tjera se energjia është një sektor që ka pasur një performancë të mirë dhe sipas saj tregu i punës ka vijuar të shfaqë shenja pozitive.
