I mbijetuari nga gjenocidi në Çamëri rrëfen mbi vrasjen e anëtarëve të familjes
- Këtë qershor shënohet 81-vjetori i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë pasi Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur 27 qershorin si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".

Tiranë
TIRANË (AA) - FATJON CUKA - Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë vazhdon ende të mbetet një plagë e hapur edhe pse kanë kaluar shumë dekada që kur ndodhi ky gjenocid.
Këtë qershor shënohet 81-vjetori i këtij gjenocidi pasi Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur 27 qershorin si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".
Gjenocidi dhe masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë rrëfehen nga ata që i kanë përjetuar dhe që kanë humbur familjet e tyre, nga ata që u njohën me gjenocidin nga rrëfimet e të afërmve, por edhe nga studiues të ndryshëm.
- Në moshën 7-vjeçare humbi nga gjenocidi shtatë pjesëtarë të familjes
Një nga shqiptarët e Çamërisë që ka përjetuar gjenocidin dhe ka humbur shtatë pjesëtarë të familjes së tij nga ky gjenocid është edhe 88-vjeçari Sali Bollati.
Për Anadolu, Bollati tregon se ka lindur në Paramithi të Çamërisë dhe në kohën kur filloi vala e gjenocidit në qershor të vitit 1944 ishte në moshën 7-vjeçare. Përveçse i ka përjetuar, ai është rritur me rrëfimet e të afërmeve të tjerë që mbijetuan për gjenocidin në Çamëri.
Bollati tregon se nga gjenocidi i ushtruar mbi shqiptarët e Çamërisë ka humbur gjyshin, gjyshen, babain, nënën, dy vëllezër dhe motrën.
Pasi ai vetë së bashku me njërën nga motrat e tij arritën të shpëtonin, u vendos përfundimisht në Shqipëri, ndërkohë gjatë regjimit komunist ka kryer edhe studimet e larta për inxhinier kimist në Çekosllovaki.
"Nga gjenocidi grek që filloi më 27 qershor 1944 mua më vranë së pari gjyshin tim, imam Muharrem Bollati, 82-vjeç, pas tij më vdiq gjyshja Ruhije, 72-vjeçe, në burgun e Paramithisë. Në Xhaminë e Paramithisë më vranë nënën time Betulla 36-vjeçe. Më vranë babain (Ibrahim) 52-vjeç, e vranë tek shkolla, e morën nga ne, e rrëmbyen dhe të nesërmen vranë të gjithë rreth 30 burra. Rrugës vranë vëllain e madh Ferhatin 13-vjeç dhe nuk u varros në asnjë vend. Motra e vogël 2-vjeçe Makbule, nga uria dhe sëmundjet vdiq në burgun e Paramithisë", tregon ai.
I përlotur, Bollati shprehet se duke ardhur nga Çamëria në Shqipëri, vdiq edhe vëllai i tij 5-vjeçar, i quajtur Faruk dhe mbeti gjallë ai me një motër të quajtur Qerimeja.
- "Bie të fle natën me mendje në Çamëri dhe gdhihem po me mendjen atje"
Bollati shprehet se gjenocidi ishte i tmerrshëm ndaj familjeve shqiptare në Çamëri dhe shton se nuk mund t'i harrojë ato që ka përjetuar.
Ai tregon se i ka përjetuar të gjithë ato krime që u bënë në familjen e tij, por dhe ndaj gjithë shqiptarëve të Çamërisë gjatë gjenocidit grek, duke shtuar se i ka parë me sytë e tij, si në shtëpi, rrugës duke u larguar dhe në burg.
"Në atë moshë që isha unë, 7-vjeç, kam parë tmerret. Atë që kam jetuar dhe parë nuk më hiqet nga mendja. Unë bie të fle natën me mendje atje (në Çamëri) dhe gdhihem në mëngjes po me mendjen atje", shprehet ai.
Si të vetmin kujtim nga Çamëria ai ka ruajtur një fotografi me nënën, motrat, vëllezërit dhe të afërm të tjerë të tij në Çamëri.
Bollati ka shkruar dhe libra dhe artikuj të ndryshëm për Çamërinë, gjenocidin dhe çështjen çame.
- Gjenocidi në Çamëri
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të shqiptarëve të Çamërisë, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".