BALLKANI

I dërguari i Maqedonisë së Veriut në Suedi nuk mori pjesë në ndarjen e Çmimit Nobel për Handke

“Duhet të kundërshtojmë mohimin e gjenocidit. Prandaj udhëzuam ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Suedi që të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel Handke-s”, shkroi Dimitrov

Admir Fazlagikj  | 10.12.2019 - Përdıtësım : 10.12.2019
I dërguari i Maqedonisë së Veriut në Suedi nuk mori pjesë në ndarjen e Çmimit Nobel për Handke Foto: AA/Arhiv

Shkup

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, bëri të ditur se ka udhëzuar ambasadorin e vendit në Suedi që të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel të vitit 2019 në Stokholm, ku çmimi për letërsi iu nda shkrimtarit të diskutueshëm austriak Peter Handke, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Duhet të kundërshtojmë mohimin e gjenocidit. Prandaj udhëzuam ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Suedi që të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel Handke-s”, shkroi Dimitrov në llogarinë e tij në twitter.

Ceremonia e Çmimit Nobel është mbajtur nën hijen e kritikave shkaku i vendimit për ndarjen e çmimit të letërsisë të këtij viti për Handke, një shkrimtari austriak që mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.

Atij iu nda Çmimi Nobel për Letërsi përkundër përkrahjes së tij të hapur për presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare në Hag teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Handke pretendoi se boshnjakët muslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk besoi se serbët kishin kryer gjenocid në Srebrenicë.

Disa vende bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Përfshirë Maqedoninë e Veriut, po ashtu edhe të dërguarit e Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në Suedi nuk morën pjesë në ceremoni.

Po ashtu qindra qytetarë u tubuan sonte në sheshin Normmalm në Stokholm për të protestuar ceremoninë e Çmimit Nobel të vitit 2019.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.