I akuzuari për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës pranon fajësinë
Avokati Deleviq propozoi që i pandehuri Miljkoviq të dënohet me gjobë dhe t'i mundësohet pagesa me këste në periudhë dyvjeçare
Prishtinë
I akuzuari për sulm ndaj Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR si dhe Policisë së Kosovës më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, Lubisha Miljkoviq, ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale për veprën penale "sulm" dhe "pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale apo huliganizëm", transmeton Anadolu.
Miljkoviq para trupit gjykues të enjten tha: “unë e pranoj fajësinë dhe e pranoj marrëveshjen për pranimin e fajësisë”.
Edhe avokati i të pandehurit, Milosh Deleviq, tha se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe pas konsultimeve të mjaftueshme.
Avokati Deleviq propozoi që i pandehuri Miljkoviq të dënohet me gjobë dhe t'i mundësohet pagesa me këste në periudhë dyvjeçare.
Prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se marrëveshja parasheh 2 vjet burgim efektiv, ku llogaritet koha e kaluar në paraburgim, si dhe gjashtë muaj burgim që zëvendësohen me gjobë në vlerë prej 14 mijë eurosh.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se janë plotësuar kushtet e parapara për ta miratuar marrëveshjen e fajësisë dhe se ajo është e bazuar në prova e fakte.
Ngjarjet në Zveçan më 29 maj 2023 shpërthyen pas bojkotit të zgjedhjeve lokale të prillit nga serbët e veriut, çka çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë dhe ndezi protesta kundër hyrjes së tyre në komunë.
Më 29 maj, protestuesit serbë u përplasën dhunshëm me Policinë e Kosovës dhe trupat e KFOR-it, teksa këta të fundit tentonin të siguronin hyrjen e kryetarëve në ndërtesat komunale.
Përplasjet përfshinë përdorimin e gazit lotsjellës dhe granatave të shokut nga forcat e sigurisë, ndërsa protestuesit kundërpërgjigjeshin me gurë, shishe, kokteje molotovi dhe mjete të tjera të rënda ku si rezultat, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
