BALLKANI

I akuzuari për krime lufte në Kosovë, Boban Toniq deklarohet i pafajshëm

Sipas aktakuzës, Boban Toniq i njohur me nofkën "Bellko", akuzohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer krime lufte në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe në paralelen e tij në Lipjan

Agim Sulaj  | 20.01.2026 - Përdıtësım : 20.01.2026
I akuzuari për krime lufte në Kosovë, Boban Toniq deklarohet i pafajshëm Foto: Arkiv / AA

Prishtinë

Ish-gardiani i Burgut të Prishtinës, Boban Toniq, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte, në seancën fillestare të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, transmeton Anadolu.

Mediat lokale në Kosovë raportuan se i akuzuari Toniq u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, në akuzën të cilën e lexoi prokurori special Atdhe Dema ndërsa gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri e njoftoi të akuzuarin me të drejtat procedurale.

Gjykatësi Beqiri njoftoi se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Predrag Milokoviq, kanë afat prej 20 ditësh për të paraqitur kundërshtim ndaj provave dhe kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 31 dhjetor 2025, Boban Toniq, i njohur me nofkën "Bellko", akuzohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer krime lufte në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe në paralelen e tij në Lipjan.

Në aktakuzë thuhet se Toniq, në bashkëkryerje me ish-gardianët Jovan Jovanoviq, Avdia Sutkoviq dhe Zoran Gjokiq, ka keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë, duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare.

Prokuroria pretendon se të burgosurit janë rrahur dhe torturuar me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome dhe shufra metalike si dhe janë lënë pa ushqim për ditë të tëra, duke pësuar dhimbje fizike dhe psikike.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në periudhën nga 24 maji deri më 10 qershor 1999, pas transferimit të të burgosurve nga burgu i Dubravës në atë të Prishtinës dhe Lipjanit, të akuzuarit kishin formuar kordon dhe kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, duke i kanosur me vdekje dhe duke ua cenuar rëndë dinjitetin njerëzor.

Toniq akuzohet për veprën penale "Krime lufte kundër popullatës civile", sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Boban Toniq u arrestua dhe po mbahet në paraburgim nga prilli i vitit 2025.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın