BALLKANI

Hoti: Objektiv i Kosovës në dialog me Serbinë është njohja reciproke

"Parimi i parë është që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm”, tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Agim Sulaj  | 10.06.2020 - Përdıtësım : 10.06.2020
Hoti: Objektiv i Kosovës në dialog me Serbinë është njohja reciproke ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shpalosur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), kornizën mbi bazën e së cilës do të procedohet me dialogun Kosovë-Serbi dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ku tha se këtë proces do ta udhëheqë Kryeministri i Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Prezantimi i kryeministrit Hoti vjen një ditë pasi ASHAK-u publikoi një raport të përmbledhur me të gjitha marrëveshjet e deritanishme midis Kosovës dhe Serbisë ku ka vlerësuar se “devijimi i dialogut ka ndodhur me nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 2013, me të cilën Republika e Kosovës pranoi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Për një gjë të tillë kryeministri Hoti tha para akademikëve se dialogun do ta udhëheqë ai dhe për këtë nuk do të bëjë “kurrfarë gare me bartësit institucional tjerë të vendit, sepse kompetencat e mija kushtetuese janë të qarta për të gjitha çështjet”.

Duke folur rreth parimeve që ekipi negociator i udhëhequr nga Hoti do të ndjekë në dialog tha se do të ketë tri parime bazë, nga të cilat integriteti territorial i Kosovës mbetet i panegociueshëm.

“Parimi i parë është që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Unë nuk dua as si qytetar as si kryeministër dhe as nuk kam mandat të diskutojë për integritetin territorial të Republikës së Kosovës. E dyta, në marrëveshjen që duhet të arrihet për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, e cila marrëveshje duhet të sigurojë që konflikti mes Kosovës dhe Serbisë zhduket njëherë e përgjithmonë; organizimi kushtetues dhe shtetëror i Kosovës është i panegociueshëm”, tha Hoti.

Ai tutje tha se nga objektivat e Kosovës në këtë dialog është njohja reciproke midis të dyja vendeve, si dhe sigurimi i ulëses në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“E para është njohja reciproke. Nuk ka kuptim asnjë marrëveshje e cila nuk siguron njohje reciproke. Dhe jo njohje reciproke të përkohshme të modeleve të dy Gjermanive ose modele të tjera ndërkombëtare. Por, njohje reciproke, që na siguron menjëherë ulëse në OKB. Dhe na siguron menjëherë njohje nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, tha Hoti.

Kreu i ASHAK-ut, Mehmet Kraja tha se ajo çfarë i ka munguar deri më tani procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë, ka qenë paqëndrueshmëria e faktorit politik të Kosovës.

“Ajo që i ka munguar procesit të deritashëm të dialogut ka qenë paqëndrueshmëria e faktorit politik të Kosovës, pjesëmarrës ose jo në procesin e bisedimeve. Këtë e kemi thënë dje në komunikatën që e kemi shpërndarë. Kemi thënë gjithashtu se një pjesë e faktorit të jashtëm e ka interpretuar gatishmërinë e Kosovës për të qenë konstruktive në dialog si gatishmëri për të bërë kompromise, përtej parimeve bazë të Kushtetutës”, tha Kraja.

Midis akademikëve të ASHAK-ut si dhe kryeministrit Hoti u zhvillua një bisedë, ku akademik Rexhep Ismajli i propozoi Qeverisë të themelohet një “qendër e të menduarit strategjik” dhe të shërbejë si referencë për strategji në dialogun Kosovë-Serbi dhe për procese të tjera të rëndësishme kombëtare.

Hoti për këtë çështje tha se do të krijohet një Këshill Ekspertësh i cili do të përfshijë njerëz me përvojë në pjesëmarrje në marrëveshje të ndryshme të Kosovës, njerëz nga shoqëria civile por edhe akademikë të cilët do të mund të ofrojnë ekspertizë për Kryeministrin e Kosovës.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018, kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100 për qind ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundmi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.