BALLKANI

"Hetimi për incidentin në uzinën ushtarake në Gramsh do të bëhet i plotë"

"Hetimi sigurisht do të bëhet i plotë. Deri tani nuk ka vend as për spekulime. Përfundimi hetimeve do të tregojë se me çfarë rasti konkret kemi të bëjmë", tha ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi

Fatjon Cuka  | 22.08.2022 - Përdıtësım : 23.08.2022
"Hetimi për incidentin në uzinën ushtarake në Gramsh do të bëhet i plotë" Foto: AA/Arkiv

Tiranë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bledar Çuçi, në një konferencë për mediat kanë folur mbi incidentin në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, duke deklaruar se do të ketë një hetim të plotë rreth ngjarjes, raporton Anadolu Agency(AA).

Ministri Peleshi tha se kemi të bëjmë me një grup të huajsh të cilët nuk kanë tentuar që ta vizitojnë atë zonë ushtarake me leje sipas procedurës, por sipas tij kanë tentuar të hyjnë në të. Sipas Peleshit, njëri prej tyre ka kapërcyer rrethimin dhe kur është ndaluar nga personeli ushtarak ka reaguar në mënyrë të dhunshme.

Ministri Peleshi tha se shtetasit e huaj mund kenë patur edhe synim për të devijuar vëmendjen nga një skenar tjetër. "Mos të harrojmë që para pak javësh ne u përballëm me një sulm kibernetik, i cili ishte serioz", tha Peleshi.

"Ne jemi të përgjegjshëm dhe shumë serioz në trajtimin e ngjarjes së fundit të Gramshit, ashtu sikundër secili prej nesh duhet të ruhet edhe nga ekzagjerimet apo nga spekulimet mediatike, apo politike të ngjarjeve të tjera të cilat edhe mund të quhen në disa raste dhe mund mos quhen ngjarje, sepse nuk është hera e parë që turistë vendas apo të huaj kanë kuriozitet të fotografojnë site të vjetra të industrisë ushtarake apo zona ushtarake", tha Peleshi.

Peleshi theksoi se uzina në Gramsh ka qenë një uzinë e prodhimit të armëve dhe sot nuk prodhon më armë, pothuajse prej 30 vjetësh, dhe sipas tij ka aktivitet sporadik të demontimit të armëve të ndryshme.

"Është një ngjarje që as nuk e kemi mbivlerësuar dhe as nuk e kemi nënvlerësuar"

Ministri Çuçi tha se në lidhje me ngjarjen në Gramsh ka një hetim që ka filluar dhe që ka një procedim dhe akuzë nga Prokuroria e Elbasanit.

"Është një ngjarje që as nuk e kemi mbivlerësuar dhe as nuk e kemi nënvlerësuar dhe po hetojmë me gjithë faktet dhe rrethanat që ekzistojnë për këtë ngjarje. Hetimi sigurisht do të bëhet i plotë. Deri tani nuk ka vend as për spekulime. Përfundimi hetimeve do të tregojë se me çfarë rasti konkret kemi të bëjmë", tha ai.

Çuçi u shpreh se pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk përbën një sekret shtetëror, "ne përsëri po hetojmë qëllimin e këtyre njerëzve që kanë hyrë pa leje dhe jashtë rregullave dhe kanë ushtruar mbi të gjitha agresion dhe dhunë mbi njerëzit që kanë për detyrë për ta ruajtur këtë objekt".

Më 20 gusht, një incident ka ndodhur në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku sipas autoriteteve shqiptare dy shtetas rusë dhe një shtetas ukrainas kanë tentuar të hyjnë në uzinë, ndërkohë kanë përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë.

Për ngjarjen në Gramsh shtetasit e huaj janë arrestuar dhe akuzohen për veprat penale "Goditja për shkak të detyrës", "Dhënia e informatave sekrete", dhe "Sigurimi i informatave", kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes në Gramash, u ndaluan nga policia katër shtetas çekë të dyshuar se po realizonin fotografi në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan, në Qarkun e Beratit, ndërsa do të hetohen në gjendje të lirë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın