Hasani: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë thelbësore për stabilitetin rajonal
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, vizita e ministrit Hasani shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Tiranë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, duke u pritur në takime të ndara nga presidenti grek, Constantinos Tassoulas dhe homologu i tij, George Gerapetritis, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, vizita shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu thuhet se vizita ka riafirmuar "angazhimin për një partneritet të qëndrueshëm, të bazuar në respekt të ndërsjellë, afërsi strategjike dhe vizion të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe funksionale".
"Rikonfirmuam vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dypalësh - të ndërtuar mbi besimin, interesat strategjike dhe rolin tonë të përbashkët si aleatë në NATO. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për konsolidimin e vizionit evropian në Ballkanin Perëndimor", ka theksuar Hasani në deklaratën pas takimit me homologun grek.
Gjithashtu thuhet se palët zhvilluan një shkëmbim të thelluar mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, "i cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria shqiptare". "Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë këtij procesi dhe për rolin e saj si një partner aktiv dhe fqinj me të cilin ndajmë interesa dhe përgjegjësi të përbashkëta", ka deklaruar ministri Hasani.
Sipas njoftimit, në lidhje me çështjet e hapura dypalëshe, ministri Hasani u shpreh: "Ndajmë bindjen se ka ardhur koha për të trajtuar me seriozitet dhe qasje konstruktive të gjitha çështjet e mbetura. Është në interesin e përbashkët të dy vendeve që këto tema të adresohen përmes dialogut të sinqertë, respektit të ndërsjellë dhe përputhshmërisë me të drejtën ndërkombëtare".
Në njoftim thuhet se në takimin me presidentin e Greqisë, u theksua dinamika pozitive e dialogut mes dy qeverive dhe rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.