Hapet panairi i përgjithshëm "Prishtina 2025"
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna tha se panairi do të shërbejë si urë midis bizneseve të huaja me ato vendore
Prishtinë
Në qendrën më të madhe tregtare në Ballkan, në Prishtina Mall, është hapur panairi i përgjithshëm ndërkombëtar "Prishtina 2025", raporton Anadolu.
Panairi i cili do të mbahet më 10, 11 dhe 12 qershor, bëri bashkë dhjetëra biznese të ndryshme nga Kosova dhe vendet e rajonit, e po ashtu, biznese nga Finlanda.
Bizneset pjesëmarrëse në këtë panair, nga ato që merren me teknologjinë, sektorin e ndërtimit, bujqësisë, inovacioneve të ndryshme, gastronomisë, e të tjera, vendosën në shtande produktet e tyre të shitjes dhe informacionin për shërbimet që ato ofrojnë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna tha se panairi do të shërbejë si urë midis bizneseve të huaja me ato vendore.
"Ky panair nuk është thjeshtë vetëm një ekspozitë e produkteve apo shërbimeve, ky panair është kthyer në një platformë të bashkëpunimit, inovacionit por edhe të informimit mbi risitë më të fundit që po ndodhin, qoftë në tregun rajonal, tregun evropian, por edhe më gjerë", theksoi Rafuna.
Ai shtoi se fryti i këtij panairi nuk do të jetë vetëm një dritare për integrim ekonomik por edhe një dritare për integrim evropian, për shkak të ndërveprimit midis bizneseve vendore me ato biznese të shteteve evropiane, duke rritur kualitetin në produkte por edhe duke mbushur standardet që kërkohen për integrimin evropian.
Mendi Qyra, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, e cila përfaqëson një pjesë të bizneseve në Maqedoninë e Veriut tha se bashkëpunimi i dy odave ekonomike është i domosdoshëm, duke ditur afërsinë e dy shteteve dhe nevojën e bizneseve midis vendeve fqinje.
"Ky panair është si rezultat i punës që ka bërë Oda dhe mendoj se këtu do të shohim një punë, produkte të cilat afaristët e Kosovës i ofrojnë dhe ne të përcjellim tek afaristët tanë si të bashkëpunojmë dhe të vazhdojmë tutje, sepse, kemi nevojë për njëri-tjetrin", theksoi Qyra.
Panairi tashmë tradicional synon mbështetjen dhe zhvillimin e të gjithë sektorëve në ekonominë e vendit dhe lidhjen me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.
