BALLKANI

Hapet ekspozitë me xhamitë e shkatërruara gjatë viteve të ‘90-ta në Kosovë dhe BeH

"U shkatërruan gjithsej 832 xhami, pa përfshirë këtu objektet e tjera fetare dhe kulturore. Nga ky numër 218 xhami u shkatërruan në Kosovë ndërsa 614 në Bosnjë e Hercegovinë", tha Tërnava

Agim Sulaj  | 18.12.2025 - Përdıtësım : 18.12.2025
Hapet ekspozitë me xhamitë e shkatërruara gjatë viteve të ‘90-ta në Kosovë dhe BeH Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Është hapur sot në Prishtinë ekspozitë me fotografitë e xhamive të shkatërruara gjatë periudhës së luftës në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta, raporton Anadolu.

Në ekspozitën "Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar", të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, mori pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e komunitetit boshnjak Emilja Rexhepi, përfaqësues të dy bashkësive islame dhe të ftuar të tjerë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se ekspozita e cila dokumenton shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore gjatë luftërave në dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, është një kapitull i dhimbshëm i të dy popujve.

Tërnava tha se ndonëse të zhvilluara në hapësira të ndryshme gjeografike, sulmet në Kosovë dhe BeH u drejtuan nga i njëjti projekt ideologjik dhe politik i të njëjtit regjim shtetëror serb, i konceptuar për të ushtruar dhunë strukturore dhe sistematike ndaj të gjithë atyre që perceptoheshin si "të tjerë" dhe si pengesë për realizimin e objektivave të tij politike.

"Gjatë viteve 90-të të shekullit të kaluar në vendet tona fillimisht në Bosnjë e Hercegovinë e më pas në Kosovë, hapësira këto që i përkasin Evropës dhe qytetërimit evropian, u shkatërruan gjithsej 832 xhami, pa përfshirë këtu objektet e tjera fetare dhe kulturore. Nga ky numër 218 xhami u shkatërruan në Kosovë ndërsa 614 në Bosnjë e Hercegovinë", tha Tërnava.

Myftiu i Gorazhdës në Bosnjë e Hercegovinë, Remzija Pitiq tha se xhamitë nuk u shkatërruan nga individë të dehur, disa grupe apo administrate për qëllime të ndryshme, por kjo ishte pjesë integrale e një sistemi, politike e nivelit të lartë me qëllim shkatërrimin e simboleve më të fuqishme në Bosnjë e Hercegovinë.

"Por, armiqtë e së vërtetës, bukurisë së Zotit, nuk mundën kurrë ta duronin atë bukuri, atë paqe kozmike që gjetëm në xhamitë tona. Xhamitë nuk janë gjë tjetër veçse degë të Qabesë, poste të saj kudo që të ishin. Epo, ata armiq të së bukurës dhe së mirës, veçanërisht në rajonet tona, e shkatërruan atë bukuri sa herë që nuk i penguam, si gjatë agresioneve dhe luftërave, ashtu edhe në paqe", tha Pitiq.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për dokumentimin e dëmeve dhe kërkimin e drejtësisë dhe dëmshpërblimit për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.

Ai tha se një komision i përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ka dokumentuar zyrtarisht dëmet dhe humbjet, duke hapur rrugën për kërkesën tonë për drejtësi dhe dëmshpërblim.

"Bazuar në këtë raport, në periudhën 1998–1999 janë shkatërruar 1.788 monumente të trashëgimisë kulturore; janë grabitur mbi 3.724 artefakte muzeale nga koleksionet e muzeve publike në Kosovë; si dhe janë shkatërruar 175 biblioteka publike me mbi 1.7 milion libra. Nga 1.788 monumente të shkatërruara, së paku 500 janë kulla banimi, 218 xhami dhe 11 teqe, 17 kisha katolike si dhe Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit", tha Kurti.

Ai theksoi se ekspozita ka një rëndësi të veçantë sepse dokumenton qartë dhe bindshëm shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore si pjesë e një strategjie të qëllimshme për fshirjen e identitetit kulturor dhe historik të popullit shqiptar të Kosovës.

Materialet e ofruara në ekspozitë në formën e përshkrimit dhe fotografive, u shpalosën para të pranishmëve për të treguar vëllimin e shkatërrimit të objekteve islame në zona të cilat ishin okupuar ose ishin nën sulme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın