BALLKANI

Hapet ekspozita mbi historinë e Bankës së Shqipërisë dhe monedhës kombëtare shqiptare

Ekspozita organizohet në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe 100-vjetorit të emetimit të monedhës së parë kombëtare shqiptare dhe monedha, kartëmonedha, objekte të rralla, fotografi dhe dokumente

Fatjon Cuka  | 20.01.2026 - Përdıtësım : 20.01.2026
Hapet ekspozita mbi historinë e Bankës së Shqipërisë dhe monedhës kombëtare shqiptare Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Tiranë është hapur ekspozita me temë "Paraja rrëfen,100 vjet jetë dhe ngjarje-Banka e Shqipërisë", raporton Anadolu.

Ekspozita organizohet në kuadër të dy përvjetorëve, 100-vjetorit të krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe 100-vjetorit të emetimit të monedhës së parë kombëtare shqiptare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në ceremoninë e hapjes të mbajtur sot u shpreh se kur flasin për njëqind vjet, nuk flasin vetëm për kohë, por sipas tij edhe për breza që kanë jetuar ndryshime të thella.

"Përmes objekteve, dokumenteve, imazheve, personaliteteve dhe rrëfimeve të paraqitura, jemi përpjekur që në ekspozitë vizitori të mos të gjejë vetëm historinë institucionale të bankës qendrore, por edhe historinë e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare: mënyrës si jemi paguar, si kemi kursyer, si kemi përballuar kriza, si kemi rindërtuar ekonomi, si kemi aspiruar për stabilitet dhe një të ardhme më të parashikueshme", tha Sejko.

Sejko theksoi se ekspozita nuk i trajton periudhat si kapituj të mbyllur, por si burim mësimi për të tashmen dhe të ardhmen.

Ekspozita organizohet nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe do të do të qëndrojë e hapur për një periudhë 6-mujore.

Pjesë e ekspozitës janë monedha dhe kartëmonedha, objekte të rralla, fotografi, dokumente historike dhe artefakte rreth prodhimit të parasë në Shqipëri dhe funksionimit të bankës qendrore në periudha të ndryshme historike.

Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua në shtator 1925 me emërtimin Banka Kombëtare e Shqipnis dhe në shkurt të vitit 1926 emetoi monedhën e parë kombëtare shqiptare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.