BALLKANI

Hapet ekspozita "Kosova në gjuhët e botës"

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtën e saj për liri dhe pavarësi nga Serbia ka qenë një front i rëndësishëm për realizimin e aspiratave të Kosovës

Agim Sulaj  | 25.03.2024 - Përdıtësım : 26.03.2024
Hapet ekspozita "Kosova në gjuhët e botës" Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në luftën në Kosovë ka hapur ekspozitën e botimeve për Kosovën në gjuhë të huaja "Kosova në gjuhët e botës", raporton Anadolu.

Në hapësirat e ASHAK-ut ku morën pjesë akademikë dhe përfaqësues të institucioneve në vend, u ekspozuan disa nga kopertinat e librave të publikuara nga autorë dhe gjuhë të huaja që flasin për Kosovën.

Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, para të pranishmëve tha se ekspozita është memorie e botës për Kosovën dhe ndoshta një mesazh i pakoduar me vlerë të qëndrueshme i botës progresive.

"Përmes këtyre librave që shihni të ekspozuara, dy gjëra janë bërë të ditura me qartësi të madhe, që të kenë ndikim në rendin e ri botërorë dhe që kanë zënë fill në Kosovë, se të drejtat e njeriut qëndrojnë mbi sovranitetin e shteteve dhe se popujt e vegjël nuk mund dhe nuk duhet të nëpërkëmben vetëm për faktin se janë më të vegjël dhe se kanë pasur fat të keq në historinë e tyre", theksoi Kraja.

Ai tutje tha se ekspozita është edhe një thirrje për të mos harruar, pra, thirrje e kujtesës dhe ndërgjegjes, derisa shtoi se ASHAK-u në një të ardhme të afërt do të arrijë që në bibliotekën e akademisë të hapë një sektor të specializuar me botime të huaja për Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtën e saj për liri dhe pavarësi nga Serbia ka qenë një front i rëndësishëm për realizimin e aspiratave të Kosovës.

Konjufca tha se ka qenë shumë me rëndësi që në kohën e luftës, Kosovën ta mbështesin edhe qarqet akademike dhe intelektuale të huaja.

"Kontributi i autorëve të huaj, i miqve të Kosovës, shumë prej të cilëve kanë pasur edhe detyra drejtuese, ka ndikuar pa dyshim në krijimin e opinionit pozitiv të publikut të huaj për të drejtën e Kosovës për liri dhe për pavarësi", theksoi Konjufca.

Konjufca shtoi se kontributi i autorëve të huaj si Noel Malcolm, Oliver Schmit, Tim Judah, Janusz Bugajski e të tjerë, me punën e tyre akademike dhe publicistike bënë që të hapej shtegu për rrëzimin e miteve të Serbisë për Kosovën.

Më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın