BALLKANI

Gërvalla në OKB: Serbia po ndjek politikë kërcënuese ndaj Kosovës dhe rajonit

Gërvalla ka prezantuar një fotografi të një murali në Beograd ku shkruante “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që, sipas saj, paraqet qartë “ambicien agresive të Serbisë ndaj Kosovës”.

Agim Sulaj  | 21.10.2025 - Përdıtësım : 21.10.2025
Gërvalla në OKB: Serbia po ndjek politikë kërcënuese ndaj Kosovës dhe rajonit Foto: Arkiv

Prishtinë

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka theksuar se Serbia po ndjek një politikë kërcënuese ndaj Kosovës dhe rajonit, duke paralajmëruar se mungesa e masave ndaj saj mund të nxisë përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve, transmeton Anadolu.

Gjatë fjalimit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën, Gërvalla ka prezantuar një fotografi të një murali në Beograd ku shkruante “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që, sipas saj, paraqet qartë “ambicien agresive të Serbisë ndaj Kosovës”.

“Nuk shkruhet ‘nëse ushtria kthehet’, por ‘kur kthehet’. Ata nuk e fshehin qëllimin e tyre. Ne jemi në favor të dialogut dhe dua ta lavdëroj përpjekjen e (Të dërguarit të BE-së për dialogun Peter) Sorensen për rezultate konkrete, por na duhet një dialog i vërtetë, jo mashtrim nga (presidenti serb Aleksandar) Vuçiqi”, tha ajo.

Gërvalla tha se në shtator të vitit 2023 Serbia kreu një sulm të armatosur ndaj Republikës së Kosovës, duke dërguar grupe paramilitare në veri të vendit, ku u vra një polic dhe dy të tjerë u plagosën.

Sipas ministres kosovare, “Vuçiqi mund të pengohet, por jo të bindet”.

“Komandanti i atij inkursioni ishte dora e tij e djathtë për Kosovën, të cilin më pas e priti si mysafir nderi”, deklaroi ajo, duke folur për Milan Radoiçiqin, derisa shtoi se Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë presion më të fortë ndaj Beogradit.

Gërvalla gjithashtu kërkoi lirimin e ish-policit kosovar, Arbnor Spahiu, të arrestuar nga autoritetet serbe, si dhe më shumë angazhim të faktorit ndërkombëtar për të ndaluar, siç tha, “strategjinë e luftës së Serbisë ndaj Kosovës”.

Në përgjigje ndaj ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili gjatë fjalimit të tij iu referua Kosovës si “Kosovë e Metohi”, Gërvalla theksoi se një term i tillë nuk ekziston dhe përfaqëson “gjuhën shoviniste të Sllobodan Millosheviqit dhe ambiciet hegjemoniste të Serbisë”.

Gërvalla kërkoi mbylljen e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke theksuar se “nuk i shërben më qëllimit për të cilin u themelua”.

Në përfundim, ajo u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mos lejojnë përsëritjen e një konflikti të ri në Ballkan.

“Paralajmërimi ynë është i qartë: mos prisni gjatë, mos rrezikoni një luftë tjetër ballkanike”, tha Gërvalla.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın