Grubi: Fatet e popujve në vendin tonë janë të ndërlidhura mes vete
Urime me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dërguan presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev
Shkup
Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në prani të ministrave dhe funksionarëve shtetërorë sot në mënyrë solemne u shënua 22 Nëntori - Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi, iu drejtua të pranishmëve, i cili në fjalën e tij tha se këtë vit shënohet 80-vjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës, kryetari i Komisionit për përgatitjen e Alfabetit Shqip në Kongresin e Manastirit.
Me atë rast, Grubi tha se Fishtës ia kushton këtë festë të përvjetorit të Ditës së Alfabetit shqip.
"Fatet e popujve tanë në vendin tonë janë të ndërlidhura, ne ndajmë një rrugë të përbashkët drejt lirisë, drejtësisë, barazisë, por edhe integrimit. Siç thotë Fishta, parimi i vetëvendosjes së etnisë, gjuhës dhe identitetit nuk mund të përcaktohet me marrëveshje dhe traktate, por mbi parimet e ligjit hyjnor. Sot, e kaluara nuk duhet ta mbajë peng të ardhmen. Metodat dhe vlerat e shekullit të 19-të nuk mund të kthehen në përdorim në shekullin 21", tha Grubi.
Në adresimin e tij, ai uroi qytetarët me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
"Të dashur qytetarë, të dashur bashkëkombas, në emër të Qeverisë së vendit tonë, duke kujtuar dhe përkulur para të gjithë burrave dhe grave të kombit që kanë punuar me dekada dhe shekuj për një të nesërme më të mirë, ju uroj të gjithë shqiptarëve 22 Nëntorin - Ditën e Kongresit të Manastirit dhe Alfabetit të Gjuhës Shqipe", tha Grubi.
Pas fjalimit të Grubit u prezantua një kënge e përgatitur me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip.
Urime me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dërguan presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe ose Kongresi i Manastirit shënon takimin e dhjetëra studiuesve shqiptarë, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me qëllim krijimin e alfabetit shqip. Në këtë Kongres, delegatët nga Shqipëria dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në të gjithë botën morën vendimin për të pranuar alfabetin latin, me disa ndryshime të caktuara.
Për popullin shqiptar, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit të 20-të, së bashku me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Me këtë, 22 Nëntori mbetet një ditë përkujtimi për popullin shqiptar, e njohur si Dita e Alfabetit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
