BALLKANI

Grenell: Tarifa duhet të hiqet ndërsa serbët të ndalin fushatën për çnjohjet e Kosovës

“Është shumë e rëndësishme që nëse dëshirojmë të lëvizim përpara duhet zhvillim ekonomik, që tarifa 100 për qind duhet të shfuqizohet, në të njëjtën kohë kur të ndalojë dhe fushata për çnjohjet e shtetësisë së Kosovës nga Serbia", tha Grenell

Agim Sulaj   | 23.01.2020
Grenell: Tarifa duhet të hiqet ndërsa serbët të ndalin fushatën për çnjohjet e Kosovës ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

I Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e dy partive më të mëdha në vend të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Grenell tha se çështja e krijimit të qeverisë nuk është çështje për të cilën ky shpreh interes. Grenell tha se ka inkurajuar Kurtin “të ndjekë ligjin, ashtu siç çdokush duhet ta bëjë”.

Mesazhi i dytë në këtë takim, siç tha Grenell ka qenë që, po mundohen të krijojnë vende të reja të punës për komunitetin, por për ecjen e bizneseve përpara ai tha se duhet të hiqet tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe në Kosovë.

“Është shumë e rëndësishme që nëse dëshirojmë të lëvizim përpara duhet zhvillim ekonomik, që tarifa 100 për qind duhet të shfuqizohet, në të njëjtën kohë kur të ndalojë dhe fushata për çnjohjet e shtetësisë së Kosovës nga Serbia. Mendoj se të dyja këto gjëra duhet të ndodhin në mënyrë që bizneset të rriten dhe të krijohen punë për të rinjtë”, tha Grenell.

Pas Kurtit, Grenell ka takuar kreun e partisë së dytë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentar, Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Grenell tha se në selinë e LDK-së është njoftuar dhe ka parë elementë të një tradite të gjatë politike. Ai përsëriti se nuk është në Kosovë për çështje politike.

“Ne, Amerika, nuk jemi të interesuar që të përfshihemi në atë se si do të bëhet qeveria e re, por jemi të interesuar në zhvillimin ekonomik. Dhe ndava me ju vizionin tim për këtë, duke të hiqet tarifa dhe serbët duhet të ndalin fushatën për çnjohjet e shtetësisë së Kosovës”, tha Grenell, i cili shtoi se përreth duhet një energji e re dhe punë të reja.

Grenell mbrëmë u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në një darkë zyrtare, ndërsa pas takimeve në Kosovë, gjatë ditës së nesërme ai do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Grenell pas takimit të djeshëm me presidentin Thaçi tha se qëllimi i vizitës së të dyja vendeve është të shikojë për zgjidhjen e marrëveshjeve të cilat ende kanë mbetur në tavolinë pa u zgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë dhe të cilat e pengojnë zhvillimin ekonomik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın