BALLKANI

Grenell: Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti

"Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën", tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Agim Sulaj   | 09.10.2019
Grenell: Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorin Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Marrëveshjen e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Gernell ka vizituar për herë të parë zyrtarisht Kosovën. Ndërsa pas këtij takimi është takuar edhe me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka dalë i pari në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit ndërsa pritet që i emëruari i presidentit Trump të takojë edhe përfaqësuesit politik të partive tjera.

Richard A. Grenell është ambasador i SHBA-ve në Gjermani që maji i vitit të kaluar. Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës "Capitol Media Partners" në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.

Ambasadori Grenell, ka qenë zëdhënës i ambasadës së SHBA-ve në OKB për 7 vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın