BALLKANI

Gledis Nano emërohet drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë

Gledis Nano ka drejtuar për disa vite Drejtorinë e Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 06.10.2021 - Përdıtësım : 07.10.2021
Gledis Nano emërohet drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë Foto: Arkiv / AA

Tiranë

Gledis Nano​​​​​​​ është emëruar në postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, pas dorëheqjes nga kjo detyrë e drejtorit të deritanishëm Ardi Veliu, raporton Anadolu Agency (AA).

Nano, i cili ka mbajtur deri tani postin e drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shqipërisë është emëruar në krye të policisë me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë gjatë mbledhjes së sotme.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, tha se Veliu largohet nga kjo detyrë me "rezultate shumë të larta".

"Nano, i cili edhe ai është një oficer karriere dhe së fundmi ka shërbyer për një kohë të gjatë, si drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, pa diskutim që ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite", tha ndër të tjera Çuçi.

Kujtojmë se Gledis Nano ka drejtuar për disa vite Drejtorinë e Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë.

Veliu i paraqiti dje dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, ndërsa postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë e ka mbajtur që nga shkurti i vitit 2018.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın