Gjyqi për tragjedinë në Koçan: Dëshmojnë prindërit, seanca vazhdon më 14 janar
Në fillim të procesit, prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt përcaktimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke theksuar se po kërkohet drejtësi
Shkup
Me dëshmi emocionale të prindërve të viktimave vazhdoi procesi gjyqësor në sallën e gjyqit në Idrizovë pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup për zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçan, raporton Anadolu.
Në fillim të procesit, prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt përcaktimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke theksuar se po kërkohet drejtësi.
Prindërit e fëmijëve të ndjerë kërkuan pranimin e fajit dhe drejtësi për tragjedinë, duke theksuar se fëmijët e tyre nuk kanë vdekur nga shkaqe natyrore, por kanë qenë viktima të dështimeve serioze.
Gjyqi për tragjedinë në të cilën humbën jetën 63 persona ndërsa mbi 200 u plagosën, do të vazhdojë më 14 janar. Në seancën e mëparshme nisi procedura provuese me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.
Të gjithë të akuzuarit në fillim të gjykimit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për tragjedinë.
Në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit, në klubin e natës "Pulse" në Koçan shpërtheu një zjarr si pasojë e mjeteve piroteknike gjatë mbrëmjes argëtuese, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën.
Hetimet fillestare pas incidentit zbuluan se objekti në fjalë ka funksionuar me licencë të rreme dhe për vite me radhë ka operuar pa përmbushur standardet e nevojshme.
Në bankën e të akuzuarve janë 37 persona: menaxherë, pronarë, ish-kryetarë komunash, inspektorë, personel sigurimi dhe zyrtarë shtetërorë.
