Gjyqi për zjarrin në Koçan bashkohet me lëndën ndaj pronarit të sigurisë, Prokuroria akuzon institucionet
Sot, nën masa sigurie, në sallën e gjyqit të institucionit ndëshkues-përmirësues “Idrizovë” filloi zyrtarisht gjykimi për rastin e zjarrit tragjik i cili shkaktoi 63 të vdekur dhe rreth 200 të lënduar.
Shkup
Gjykata Themelore Penale - Shkup vendosi sot në hapje të gjyqit për tragjedinë e muajit mars në klubin e natës “Puls” në Koçan të Maqedonisë së Veriut, që procedura të bashkohet me lëndën kundër pronarit të agjencisë së sigurisë “Rubikon”, e cila siguronte lokalin, transmeton Anadolu.
Sot, nën masa sigurie, në sallën e gjyqit të institucionit ndëshkues-përmirësues “Idrizovë” filloi zyrtarisht gjykimi për rastin e zjarrit tragjik i cili shkaktoi 63 të vdekur dhe rreth 200 të lënduar.
Gjyqi filloi në praninë e të pandehurve, familjarëve të 63 viktimave, përfaqësuesve të Prokurorisë, mbrojtjes dhe gazetarëve. Në mesin e të pandehurve janë pronarë të lokalit, menaxherë, inspektorë, ish-ministra, ish-kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë.
Sipas aktakuzës së zgjeruar, Aleksandar Nacev, pronari real dhe përgjegjësi i “Rubikon Security Solution”, ngarkohet për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme për shkak të dështimeve serioze në organizimin dhe zbatimin e masave të mbrojtjes në objekt.
Prokuroria pretendon se në periudhën nga shtatori 2022 deri në ditën e zjarrit, ai ka drejtuar faktikisht agjencinë pa respektuar detyrimet ligjore dhe pa siguruar kontroll, mbikëqyrje apo kushte bazë sigurie në klub, duke lejuar hyrjen e të miturve, pa dokumente, pa kontroll të identitetit dhe pa plan sigurie për një event me numër të madh vizitorësh.
Hetimi ka konstatuar se punonjësit e sigurisë nuk kanë kryer kontroll të vizitorëve, duke mos parandaluar futjen e mjeteve piroteknike, shkaku i drejtpërdrejtë i zjarrit. Pas ngjarjes, Nacev ka hapur një agjenci të re sigurie në Strumicë, veprim që prokuroria e vlerëson si përpjekje për të vazhduar aktivitetin nën emër tjetër.
- Prokuroria: Tragjedia, pasojë e dështimeve të gjata institucionale
Në fjalën hyrëse, prokurori Borçe Janev theksoi se katastrofa nuk ishte rezultat vetëm i mjeteve piroteknike, por i një zinxhiri të gjatë dështimesh institucionale dhe mosveprimi. Ai tha se lokali i natës “Puls” ka qenë një kurth vdekje që prej fillimit, me mungesë të plotë të kushteve teknike dhe me tolerim shumëvjeçar nga institucionet.
Janev theksoi se provat do të tregojnë se të pandehurit ishin të detyruar ta shihnin dhe ta parandalonin rrezikun që kishte ekzistuar për vite me radhë, por, sipas tij, asnjëri nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.
Мë parë, mbrojtja kërkoi shtyrjen e procedurës për shkak të bashkimit të lëndëve dhe dorëzimit të aktakuzës së integruar, duke theksuar se u nevojitet kohë për t'u njohur me materialet e reduktuara të provave. Gjykata pranoi propozimin e Prokurorisë për të vazhduar me aktakuzën e bashkuar.
Para fillimit të seancës, gjyqtarja Diana Gruevska - Ilievska tha se nuk mund të pritet procedurë e shpejtë gjykimi, pasi, sipas saj, çdo ngutje mund të shkaktojë gabime dhe dështim të gjyqit. "Askush nuk e di se sa do të zgjasë procesi", theksoi ajo.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese dhe si pasojë jetën e humbën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të lënduar.
Nga hetimet pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
