Gjykimi për tragjedinë në Koçan do të vazhdojë më 2 dhjetor
Në seancën e sotme dëgjimore, gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska tha se seanca dëgjimore e planifikuar për nesër anulohet
Shkup
Gjykimi për rastin e zjarrit tragjik që ndodhi në një klub nate në mars të këtij viti në qytetin e Koçanit të Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë më 2 dhjetor, raporton Anadolu.
Në seancën e sotme dëgjimore, gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska tha se seanca dëgjimore e planifikuar për nesër anulohet.
"Gjykata do të pezullojë procedurat në këtë pikë, por në të njëjtën kohë do të revokojë urdhrin për seancën kryesore dëgjimore për 26 nëntor, duke pasur parasysh se është e nevojshme të thirren palët e tjera të dëmtuara dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë", tha ajo.
Ajo njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 2 dhjetor.
Gjyqtarja informoi se Gjykata pranon kundërshtimet e disa prej avokatëve mbrojtës se aktakuza e integruar me listën e provave nuk u është dorëzuar të pandehurve dhe se Gjykata do t'ua dorëzojë atë të gjithë të pandehurve sot dhe nesër.
Më herët, një pjesë e mbrojtjes reagoi se nuk e kishin marrë aktakuzën e ndryshuar. Gjyqi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Përveç të pandehurve, të pranishëm janë edhe të afërm të viktimave të zjarrit.
Çështja përfshin 37 të pandehur, 34 individë dhe tre persona juridikë, të cilët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë publike. Në mesin e të pandehurve janë pronarë të lokalit, menaxherë, inspektorë, ish-ministra, ish-kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë.
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.
Nga hetimet pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.
