Gjykata Supreme kundërshton reagimin e Qeverisë për nxjerrjen e aktgjykimit
- "Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit", thuhet në reagimin e Supremes

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Gjykata Supreme e Kosovës ka dalë me një kundërpërgjigje ndaj reagimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për aktgjykimin e nxjerrë të kësaj gjykate ditën e djeshme, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet një njoftimi për media, Supremja ka shprehur keqardhje për reagimin e Qeverisë të cilin e ka quajtur tendencioze, lidhur me aktgjykimin e saj përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.
"Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës", thuhet në reagimin e Supremes.
Tutje, në njoftim thuhet se vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen.
Madje, Gjykata Supreme në kundërpërgjigjen e saj drejtuar Qeverisë tha se në rend të parë pret nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor.
"Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë", thuhet në njoftim.
Më 15 korrik Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri aktual në detyrë i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke thënë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e Qeverisë së Kosovës të cilët njëherësh janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese
Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit. Supremja tha se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Qeveria në detyrë tha se ndihet e "shqetësuar" dhe se e kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë si "të pabazuar në ligj" dhe "arbitrar".
"Vendimi i Supremes është i brishtë logjikisht dhe kushtetueshëm: njeh qeverinë në detyrë, por mohon kompetencën e saj për të nxjerrë akte që nuk janë të ndaluara me ligj, duke krijuar një kontradiktë të qartë", tha Qeveria në reagimin e saj.
Për vendimin që deputeti nuk mund ta ushtrojë funksionin e ministrit, Qeveria pretendon se nuk mund të ketë konflikt funksional përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.