BALLKANI

Gjykata Speciale: Prokuroria kërkon nga 45 vjet dënim me burg për Thaçin dhe të tjerët

Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly West, i kërkoi Speciales po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar

Agim Sulaj  | 09.02.2026 - Përdıtësım : 09.02.2026
Gjykata Speciale: Prokuroria kërkon nga 45 vjet dënim me burg për Thaçin dhe të tjerët

Prishtinë

Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim me burg për secilin, apo 180 vjet gjithsej për katër të akuzuarit e rastit Thaçi dhe të tjerët, që është rasti kryesor i kësaj gjykate, raporton Anadolu.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por për personat e akuzuar.

West i kërkoi Speciales po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.

“ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh(secili) duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha West.

Derisa gjykimi për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin ka hyrë në fazën përfundimtare, Prokuroria e cila kërkoi tetë orë për përmbylljen e fjalës së saj, është duke i vazhduar deklaratat e saj duke prezantuar komunikata të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Sipas aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pretendohet se ata kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për "ndërmarrje të përbashkët kriminale" lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për "tortura e trajtim mizor" në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.