BALLKANI

Gjykata Speciale: Përmbyllet paraqitja e provave nga ZPS-ja në rastin Thaçi dhe të tjerët

"Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajon e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit", tha prokurorja e specializuar

Agim Sulaj  | 16.04.2025 - Përdıtësım : 17.04.2025
Gjykata Speciale: Përmbyllet paraqitja e provave nga ZPS-ja në rastin Thaçi dhe të tjerët

Prishtinë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në kuadër të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, ka përmbyllur paraqitjen nga ana e saj të provave në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, transmeton Anadolu.

Siç ka bërë të ditur ZPS-ja në një njoftim për media, në gjyqin i cili filloi më 3 prill 2023, ZPS-ja në procesin e paraqitjes së provave të saj, thirri për të dhënë dëshmi të drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë, paraqiti rreth 3.000 prova materiale në shumë gjuhë, si dhe deri më tani ka bërë 1.430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore.

Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.

Prokurorja e specializuar, Kimberly West ngriti lart kurajon e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara.

"Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajon e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit", tha prokurorja e specializuar.

Ajo shprehu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur që ZPS-ja të paraqiste provat e saj.

"Ne duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura", vazhdoi West duke shtuar se "për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta".

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Pas mbylljes së fazës së paraqitjes së provave ndaj të akuzuarve, tani gjykata do të vlerësojë nëse procesi gjyqësor duhet të vazhdojë dhe do të varet prej mbrojtjes se sa dëshmitarë do të ftojë dhe sa kohë duhet për të përgatitur dëshmitarët e tyre. Faza e fundit është faza e marrjes në pyetje të dëshmitarëve nga ana e mbrojtësve të viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit Thaçi nuk kanë komentuar mbi kohëzgjatjen e procesit gjyqësor, por ishte përfolur që lirimi i të akuzuarve nga paraburgimi në Hagë mund të ndodhë pas përfundimit të intervistimit të dëshmitarëve nga Prokuroria.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın