Gjykata Speciale: Fillimi i gjykimit të ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve është shtyrë për 3 prill
ZPS-ja ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin e ish-presidentit Thaçi

Prishtinë
Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë ka vendosur që deklaratat hyrëse në procesin e gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të bëhen më 3 prill dhe jo në muajin mars siç ishte paralajmëruar më herët, transmeton Anadolu.
Gjatë konferencës përgatitore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka bërë të ditur se më 11 prill do të fillohet me paraqitjen e provave, ndërkaq mbyllja e çështjes u caktua më 1 prill të vitit 2025.
Deklarata hyrëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të zgjasë jo më shumë se 5 orë, kurse ajo e përfaqësuesit të viktimave deri në 45 minuta.
ZPS-ja ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin e ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, ndërsa po ashtu posedon, përveç 56 mijë dokumenteve të cilat i janë dorëzuar palës mbrojtëse, edhe 700 dokumente shtesë për t’i prezantuar.
Tutje, ZPS-ja argumentoi se do t’u duhen rreth 600 orë për paraqitjen e të gjitha provave, ashtu që të ketë proces të drejtë gjyqësor.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.