BALLKANI

Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Në një njoftim për mediat sot, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se ka vendosur pranimin e kërkesës së Veliajt për shfuqizimin e vendimit në fjalë

Fatjon Cuka  | 03.11.2025 - Përdıtësım : 03.11.2025
Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Tiranë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për mediat sot, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se ka vendosur pranimin e kërkesës së Veliajt për shfuqizimin e vendimit në fjalë.

"Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi me shumicë votash shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave ‘Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj’, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore' për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë", thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjithashtu theksohet se Gjykata Kushtetuese ka vendosur vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të presidentit Bajram Begaj për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Sipas njoftimit, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga Këshilli Bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.

“Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.

Raportohet se me vendimin në fjalë, Erion Veliaj do të vijojë të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës.

- Arrestimi dhe shkarkimi i Erion Veliajt

Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar, sipas autoriteteve, për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin për "propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vendim i cili u ankimua në Gjykatën Kushtetuese.

Më 9 tetor Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi dekretin e presidentit Bajram Begaj, dekret që u shpall më 1 tetor, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.

Veliaj ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë që ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın