Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht dekretin e Thaçit për formimin e qeverisë së re
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që të "pezullohet menjëherë" zbatimi i Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës deri më 29 maj

Prishtinë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëpërmjet një vendimi ka bërë të ditur sot se e ka pezulluar dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Kosovës si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjykata, nëpërmjet njoftimit i cili është bërë publik në faqen zyrtare, ka pranuar "masën e përkohshme" të parashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, "në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020", duke pezulluar "menjëherë zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës".
"Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar", thuhet në vendim.
Thaçi dekretoi Hotin dje, ndërkohë pak minuta më vonë Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të fundit, dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese. Ndër tjera, VV-ja kërkoi që të vendoset masa e përkohshme për pezullim të zbatimit.