BALLKANI

Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës

Në një njoftim për mediat Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka konfirmuar se ka vendosur të pezullojë dekretin për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë

Fatjon Cuka  | 09.10.2025 - Përdıtësım : 09.10.2025
Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës

Tiranë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pezulluar dekretin e presidenti Bajram Begaj për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për mediat, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka konfirmuar se ka vendosur të pezullojë dekretin për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.

"Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 1 tetor, presidenti Begaj shpalli dekretin që caktonte datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkive në disa bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.

Sipas dekretit, zgjedhjet për kryetarë të bashkive do të mbahen në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zgjedhjet në kryeqytet pezullohen, por do të mbahen në bashkitë e tjera.

Vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit nga Këshilli i Ministrave të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

Vakancat në bashkitë e tjera janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, të cilët disa u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e 11 majit.

Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt 2025, sipas autoriteteve i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin për "propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vendim i cili është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.