Gjykata Kushtetuese mban seancë për çështjen ndaj zv.kryeministres Balluku
Qeveria e Shqipërisë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Ballukut
Tiranë
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka mbajtur seancë për çështjen ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu.
Qeveria e Shqipërisë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Ballukut.
Në seancën e sotme palët paraqitën pretendimet e tyre, ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka konifrmuar se vendimi për çështjen në fjalë do të komunikohet në ditët në vazhdim.
Qeveria e Shqipërisë kërkon shfuqizimi i vendimit të GJKKO-së për masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës së Ballukut dhe zgjidhjen e "mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar".
Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë vendimi i pezullimit është "një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave".
- Çështja ndaj Ballukut
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën "ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Çështja u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO-së.
Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj saj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
