BALLKANI

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezullon vendimin mbi zv.kryeministren Belinda Balluku

Në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kjo gjykatë ka vendosur sot pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të GJKKO-së dhe kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, që do të mbahet më 22 janar

Fatjon Cuka  | 12.12.2025 - Përdıtësım : 12.12.2025
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezullon vendimin mbi zv.kryeministren Belinda Balluku

Tiranë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur pezullimin e vendimit për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, ndërkohë pas vendimit të sotëm ajo pritet të rikthehet në detyrë, transmeton Anadolu.

Në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kjo gjykatë ka vendosur sot kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

"Mbledhja e gjyqtarëve vendosi me shumicë votash kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj shtetases Belinda Balluku. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare", thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Çështja në fjalë ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Shqipërisë, duke e konsideruar vendimin e pezullimit si "një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave".

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë gjithashtu kishte kërkuar pezullimin e efekteve të vendimit të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, seanca mbi kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë do të mbahet më 22 janar të vitit 2026.

- Pezullimi nga detyra e zv.kryeministres Balluku

Më 19 nëntor Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të pezullojë nga detyra zv.kryeministren Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën "ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Balluku është e pandehur dhe akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ajo e ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019 dhe të zv.kryeministres prej korrikut 2022, në qeveritë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın