BALLKANI

Gjykata hodhi poshtë ankesën kundër vendimit të KQZ-së, përfundon mandati i Dodikut si president i RS-së

- Në njoftim thuhet se vendimi i KQZ-së përcaktoi përfundimin e mandatit të Dodikut, i cili u zgjodh në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022 nga lista e "Unionit të Social Demokratëve të Pavarur - SNSD - Milorad Dodik"

Senita Sehercehajic  | 18.08.2025 - Përdıtësım : 18.08.2025
Gjykata hodhi poshtë ankesën kundër vendimit të KQZ-së, përfundon mandati i Dodikut si president i RS-së

Sarajevë

Gjykata e Apelit e Bosnjë e Hercegovinës e ka hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që përcaktoi ndërprerjen e mandatit të tij si president i entitetit, transmeton Anadolu.

"Këshilli i Divizionit të Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës sot, më 18 gusht 2025, në një seancë të mbyllur dhe brenda afatit ligjor, miratoi dhe dërgoi një vendim me të cilin hodhi poshtë si të pabazuar ankesën e presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik", thuhet në njoftimin e gjykatës së apelit.

Në njoftim thuhet se vendimi i KQZ-së përcaktoi përfundimin e mandatit të Dodikut, i cili u zgjodh në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022 nga lista e "Unionit të Social Demokratëve të Pavarur - SNSD - Milorad Dodik".

Thuhet se autoriteti i KQZ-së për të marrë vendim për përfundimin e mandatit të një anëtari të zgjedhur të një organi qeveritar përcaktohet me Ligjin Zgjedhor dhe caktohet një afat që nuk mund të jetë më i gjatë se 15 ditë nga dita kur kanë ndodhur arsyet e përfundimit të mandatit, ose nga dita kur arsyet e përfundimit të mandatit u bënë të njohura.

Në fillim të gushtit, Gjykata e BeH e dënoi Dodikun me një vit burg dhe ndalimin e mbajtjes së detyrës së presidentit të entitetit dhe posteve të tjera politike në të gjitha nivelet në vend për 6 vitet e ardhshme për nënshkrimin e një dekreti që shpallte një ligj që Përfaqësuesi i Lartë i BeH, Christian Schmidt, e kishte shfuqizuar më parë.

Më parë, më 1 korrik 2023, Përfaqësuesi i Lartë ndryshoi Kodin Penal të BeH-së me vendim, duke futur kriminalizimin e moszbatimit të vendimeve të tij.

KQZ e BeH-së, pas lëshimit të një vendimi përfundimtar, vendosi t'i japë fund mandatit të Dodikut si president i Republikës Sërpska në përputhje me Ligjin Zgjedhor të BeH-së, i cili përcakton procedurën për përcaktimin e përfundimit të mandatit të zyrtarëve të zgjedhur që janë dënuar me dënime me burgim prej më shumë se gjashtë muajsh.

Avokati i Dodikut paraqiti ankesë kundër vendimit të KQZ-së në Divizionin e Apelit të Gjykatës së BeH-së.

Dodik njoftoi më herët të hënën se një referendum në Republikën Sërpska mbi mandatin e tij do të mbahet në fund të shtatorit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın