BALLKANI

Gjykata e Lartë lë në fuqi masën arrest në burg për ish-presidentin Meta

Në seancën e sotme të Gjykatës së Lartë është shqyrtuar kërkesa e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka kundërshtuar qëndrimin e tij në paraburgim

Fatjon Cuka  | 27.02.2025 - Përdıtësım : 28.02.2025
Gjykata e Lartë lë në fuqi masën arrest në burg për ish-presidentin Meta

Tiranë

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka lënë në fuqi masën arrest në burg për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili është në paraburgim, i dyshuar për "korrupsion", "pastrim parash" dhe "fshehje pasurie", transmeton Anadolu.

Në seancën e sotme të Gjykatës së Lartë është shqyrtuar kërkesa e Metës, i cili ka kundërshtuar qëndrimin e tij në paraburgim.

Sipas njoftimit të gjykatës të publikuar në uebfaqen e saj, në seancën e sotme për çështjen në fjalë është lënë në fuqi vendimi i datës 19 nëntor 2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e apelit kishte lënë në fuqi vitin e kaluar vendimet për masën arrest në burg për Metën, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Shqipërisë (GJKKO)

Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi masën "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" për bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi, me të cilën janë në proces divorci dhe e cila akuzohet për të njëjtat vepra penale.

Në lidhje me vendimin, ka reaguar edhe Meta, i cili në një mesazh audio të publikuar në rrjetet sociale, ka paralajmëruar se për çështjen ndaj tij do t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

- Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar më 21 tetor i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në SHBA".

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" dhe "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim".


- Karriera politike e Metës

Ilir Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.

Gjatë periudhës nëntor 1999-shkurt 2002 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Nga shtatori 2013 deri në prill 2017, ai ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në periudhën korrik 2017- korrik 2022, Meta ka qenë president i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, Meta ka mbajtur dhe disa poste ministrore në disa qeveri të Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın