Gjykata e Lartë lë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj
Në seancën e sotme, Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshim të masës së sigurisë, duke mbetur në fuqi masa “arrest në burg”.
Tiranë
Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk ka pranuar ankimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin e tij nga paraburgimi, transmeton Anadolu.
Në seancën e sotme, Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Veliajt për ndryshim të masës së sigurisë, duke mbetur në fuqi masa “arrest në burg”.
Sipas informacioneve zyrtare të publikuara në uebfaqen e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, kjo gjykatë ka vendosur "mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj".
Edhe në disa seanca gjyqësore në muajit e fundit nuk është ndryshuar masa e sigurisë ndaj Veliajt dhe ai aktualisht është në paraburgim.
- Arrestimi dhe shkarkimi i kryebashkiakut Veliaj
Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash, dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.
Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin "Për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Më 29 shtator, avokatët e Veliajt konfirmuan se vendimi për shkarkimin është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Veliaj ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.
