Gjykata e Apelit ul dënimin për Pjetër Shalën nga 18 në 13 vjet
- Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Gjykata e Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale, ka ulur dënimin nga 18 në 13 vjet ndaj Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte të kryera në vitin 1999, transmeton Anadolu.
Aktgjykimi ndaj Shalës u shpall në mungesë së pranisë së tij fizike, por i cili e ndoqi procesin nëpërmjet video-konferencës.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, u dënua më 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.
Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.