BALLKANI

Gjykata e apelit lë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në SHBA" dhe aktualisht është në paraburgim

Fatjon Cuka  | 08.09.2025 - Përdıtësım : 08.09.2025
Gjykata e apelit lë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Tiranë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për mediat nga GJPAKKO-ja thuhet se kjo gjykatë ka vendosur në seancën e sotme miratimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ndaj Metës.

Më 13 gusht 2025, GJKKO-ja kishte lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin Meta, vendim i cili ishte dërguar në apel.

Sipas gjykatës së apelit, kundër vendimit të sotëm lejohet ankesë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.

Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në SHBA" dhe aktualisht është në paraburgim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Karriera politike e Metës

Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.

Gjatë periudhës nëntor 1999 - shkurt 2002 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Nga shtatori 2013 deri në prill 2017, ai ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në periudhën korrik 2017 - korrik 2022, Meta ka qenë president i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, Meta ka mbajtur dhe disa poste ministrore në disa qeveri të Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.