BALLKANI

Gjykata e apelit lë në fuqi masën "arrest në burg” ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka konfirmuar se kundër vendimit të sotëm mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 30.01.2026 - Përdıtësım : 30.01.2026
Gjykata e apelit lë në fuqi masën "arrest në burg” ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

Tiranë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, transmeton Anadolu.

Në një njoftim, GJPAKKO konfirmoi se në seancën e sotme ka vendosur mospranimin e ankimit të paraqitur nga Meta nëpërmjet avokatit të tij.

Gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj Metës për masën "arrest në burg".

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka konfirmuar se kundër vendimit të sotëm mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.

Në lidhje me vendimin ka reaguar edhe ish-presidenti Meta, i cili në rrjetet sociale ka theksuar: “Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi”.

- Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor të vitit 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për "kontrata lobimi në SHBA". Ai aktualisht është në paraburgim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın