BALLKANI

Gjykata e apelit lë në fuqi masën ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha

Gjykata ka lënë në fuqi masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha

Fatjon Cuka  | 21.11.2023 - Përdıtësım : 23.11.2023
Gjykata e apelit lë në fuqi masën ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha

Tiranë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë me vendimin e shpallur sot ka lënë në fuqi masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, ndërsa ka caktuar masën "arrest në shtëpi" për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, transmeton Anadolu.

Sipas autoriteteve, Berisha është i dyshuar për korrupsion, ndërsa dhëndri i Berishës, Malltezi, i cili ishte i paraburgosur është i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Në njoftimin për mediat të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thuhet se kjo gjykatë ka vendosur miratimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj Berishës.

Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest në shtëpi" për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi më 20 tetor 2023 masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar masa "arrest me burg" i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), objekti i hetimit të këtij procedimi penal, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.

SPAK më parë ka konfirmuar se nga Berisha "në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të bashkëshortit të vajzës së tij".

Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha është i shpallur më parë person "non grata" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Sali Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 ai u zgjodh deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë ai njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda partisë opozitare, Partisë Demokratike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın