BALLKANI

Gjykata dënon me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë, Slavisha Filiqin

- Slavisha Filiq është dënuar me 15 vjet burgim për rrëmbimin dhe zhdukjen e mjekut shqiptar Hafir Shala

Agim Sulaj  | 17.07.2025 - Përdıtësım : 18.07.2025
Gjykata dënon me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë, Slavisha Filiqin

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues në mungesë me 15 vjet burgim për Slavisha Filiq, për shkak të veprës penale Krimi i Luftës kundër Popullatës Civile, transmeton Anadolu.

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një njoftimi për media nga Gjykata, Filiq është dënuar me 15 vjet burgim për rrëmbimin dhe zhdukjen e mjekut shqiptar Hafir Shala.

Sipas aktakuzës, Filiq, në cilësinë e personit zyrtar, si Pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10 prill 1998, e kishin ndalur në rrugë mjekun Hafir Shala, më pas e kishin dërguar atë në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Filiqit më 15 shtator 2023. Prokurori special, Atdhe Dema, pati thënë vitin e kaluar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se Shala u ndalua më 10 prill 1998 në Sllatinë të Fushë Kosovës.

Gentrit Shala, i biri i Hafir Shalës, ka thënë se shpallja e këtij aktvendimi nuk është fundi i këtij procesi.

"Është fillimi i një procesi shumë më të madh. Filiq nuk ka qenë i vetëm sepse kanë qenë edhe dy persona tjerë. Për arrestimin e babit ka pasur urdhërarrest, baza e të cilit ishte në zyrat e Beogradit", ka thënë ai.

Emrin e mjekut Hafir Shala, i cili ndihmoi popullatën civile shqiptare dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot e mban Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas.

Më 2016, presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, pati ndarë urdhrin "Hero i Kosovës" për mjekun Shala.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın