BALLKANI

Gjuriq: Kosova nuk do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Serbia ka fituar mbështetjen e aktorëve kryesor të BE-së

Për mbështetjen e aktorëve të BE-së, Gjuriq iu referua, sipas tij, marrëdhënieve të presidentit Vuçiq me homologun e tij francez, Emmanuel Macron dhe qeverinë e ardhshme gjermane

Abdulbesar Ademi  | 07.05.2025 - Përdıtësım : 07.05.2025
Gjuriq: Kosova nuk do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Serbia ka fituar mbështetjen e aktorëve kryesor të BE-së

Shkup

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, ka deklaruar se Kosova nuk do të fitojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi sipas tij, Serbia ka arritur të sigurojë mbështetjen e disa prej aktorëve kryesor nga Bashkimi Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Gjuriq foli për Paradën e Fitores në Moskë, në të cilën pritet të marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për të cilën siç raportojnë mediat lokale, ai theksoi se është i kënaqur me faktin se serbët janë një popull që feston Ditën e Fitores mbi fashizmin.

"Kosova nuk do të kalojë, sepse Serbia në anën e saj ka arritur të fitojë mbështetjen e disa prej lojtarëve kryesor në BE. Prishtina nuk përmbushi asnjë nga kushtet, nuk e ktheu tokën e vjedhur nga serbët dhe nuk e formoi Asociacionin e Komunave Serbe. Jo që asociacioni nuk është formuar, por ata po mburren se nuk e kanë ndërmend ta formojnë atë. Ne duhet të luftojmë, ta shpjegojmë rastin tonë dhe presidenti Vuçiq është një njeri i pashoq në këtë drejtim", tha Gjuriq.


- Më 13-14 maj pritet të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës

Për mbështetjen e aktorëve të BE-së, Gjuriq iu referua, sipas tij, marrëdhënieve të presidentit Vuçiq me homologun e tij francez, Emmanuel Macron dhe qeverinë e ardhshme gjermane.

"Këto janë marrëdhënie që Vuçiq i ndërtoi shumë më herët dhe të cilat kanë çuar në faktin se kemi rreth 100 mijë njerëz që punojnë në shumë kompani gjermane që janë ndërtuar këtu. Serbia realizon 64 për qind të tregtisë së saj, qarkullimit total të saj me vendet e BE-së, rrugët, shkollat, spitalet tona varen nga kjo dhe ne jemi një vend në rrugën drejt anëtarësimit në BE", tha Gjuriq.

Më 13 dhe 14 maj, në Luksemburg do të mbahet takimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku pritet të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Kosova që nga viti 2022 po bën përpjekje për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.