BALLKANI

Gjenerali amerikan Clark në Hagë: Thaçi nuk e komandonte UÇK-në

I pyetur nga avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, nëse Thaçi kishte ndikim të kufizuar mbi komandantët lokalë të UÇK-së, Clark u përgjigj me "po", duke shtuar se nuk kishte përshtypjen se Thaçi ishte komandant ushtarak

Agim Sulaj  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Gjenerali amerikan Clark në Hagë: Thaçi nuk e komandonte UÇK-në

Prishtinë

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark ka filluar sot dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë si dëshmitari i fundit në mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se ai nuk ka pasur kontroll mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Anadolu.

Clark në deklarimin e tij para trupit gjykues, tha se UÇK-ja "nuk kishte zinxhir komandues" dhe se "nuk ka pasur kontroll civil" mbi të.

I pyetur nga avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, nëse Thaçi kishte ndikim të kufizuar mbi komandantët lokalë të UÇK-së, Clark u përgjigj me "po", duke shtuar se nuk kishte përshtypjen se Thaçi ishte komandant ushtarak.

"Më kujtohet që e kam parë Thaçin. Ishte i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty", tha ai, derisa shtoi se në takimet e Rambujesë "Thaçi nuk ia kishte idenë fare se çfarë po ndodhte" dhe se nuk kishte mundur t'i jepte informacionet ushtarake që NATO kërkonte.

Duke folur për periudhën e vitit 1999, Clark tha se nuk besonte që UÇK-ja kishte organizuar trazirat në veri të Mitrovicës, duke theksuar se bëhej fjalë për "grupe individuale" derisa pohoi se ka pasur "përpjekje të serbëve për të spastruar etnikisht veriun" dhe se ai kishte ngritur shqetësime te zyrtarët francezë të NATO-s për situatën në zonën e Ibrit.

Clark theksoi se sipas vlerësimit të tij, UÇK-ja në vitin 1998 ishte kryesisht e përbërë nga "grupe lokale të krijuara si përgjigje ndaj shtypjes serbe ndër vite" ndërsa shumicën e informacioneve për strukturën e saj i kishte marrë nga pala serbe.

Me përfundimin e dëshmisë së Clarkut, mbrojtja e Thaçit mbyll thirrjen e dëshmitarëve, pas dëshmive të disa ish-zyrtarëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët njëzëri kanë deklaruar se Thaçi nuk ka pasur autoritet mbi UÇK-në.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın