BALLKANI

Gjenden uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë serbe në veri të Kosovës

"Institucionet tona mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj ligjit, sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës", shkroi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Agim Sulaj  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Gjenden uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë serbe në veri të Kosovës Foto: Xhelal Sveçla / Facebook

Prishtinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në një shtëpi të pabanuar në Jarinje të Poshtme në veri të Kosovës, janë gjetur të martën mbrëma uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit 24-orësh të Policisë, nuk është hasur asnjë person i dyshuar apo dëshmitar në atë zonë.

"Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur në një shtëpi të pabanuar me derë të thyer dhe të dëmtuar. Pas hyrjes në objekt policët kanë vërejtur uniforma ushtarake dhe një predhë anti-tank. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfiskuar një predhë anti-tank dhe uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë Serbe", thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është informuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e rastit dhe vazhdon të hetohet. Pas këtij operacioni policor ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se do të vazhdohet puna dhe angazhimi për të çrrënjosur çdo mbetje të Serbisë në Kosovë.

"Institucionet tona mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj ligjit, sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve tanë do të trajtohet me vendosmëri dhe profesionalizëm", ka shkruar Sveçla.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın