FSK mori pjesë në ushtrimin e organizuar nga KFOR-i "Golden Sabre 25"
FSK konsideron se pjesëmarrja në këtë ushtrim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes të KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it
Prishtinë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në ushtrimin e organizuar nga Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR të quajtur "Golden Sabre 25" për testimin në reagimin ndaj krizave dhe skenarëve të sigurisë, transmeton Anadolu.
FSK nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se pjesëmarrja e njësive specialistike të saj në një ushtrim të këtij konteksti, përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes të KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
"Angazhimi i FSK-së në këtë kontekst shumëkombësh, me kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare, përbën një dëshmi të qartë të avancimit të aftësive në realizimin e detyrave kyçe për ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile (MUAC) në përputhje me standardet e NATO-s", thuhet në njoftim.
Ky aktivitet mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme partnere dhe aleate me qellim të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe testimit të gatishmërisë dhe përgjigjes së koordinuar ndaj krizave, në një mjedis kompleks operacional.
FSK-ja bën të ditur se vazhdon të thellojë angazhimin e saj në iniciativa të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritet të qëndrueshëm dhe në vizionin e një vendi të sigurt, të integruar dhe të gatshëm për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global.
