Fshatrat boshnjake në Kosovë ruajnë traditën shekullore të "grimimit të nuses"
Sagdati-Karavidaj tha se ngjyrat dhe simbolet në fytyrën e nuses nënkuptojnë fat, lumturi dhe fëmijë, ndërsa tradita bazohet në legjenda të transmetuara gojarisht dhe besohet se ka ardhur në Kosovë nga persët ose daton që nga periudha pagane
Prizren
EREN BEKSAÇ -
Në fshatrat boshnjake në afërsi të qytetit të Prizrenit, në jug të Kosovës, tradita e aplikimit të një grimi unik te nuset, me qëllim që besohet se ato të mos preken nga "syri i keq", është ruajtur prej shekujsh.
Në fshatrat boshnjake si Lubinjë e Epërme, Lubinjë e Poshtme, Manastricë, Mushnikovë dhe Planjan, të vendosura në rrëzë të Maleve të Sharrit, disa kilometra larg nga qyteti i Prizrenit, nuset i lyejnë fytyrat e tyre plotësisht me ngjyra dhe simbole të ndryshme, një traditë e cila është praktikuar në këtë rajon prej shekujsh.
Aziza Sefitagic, një grua në të 70-at e jetës së saj, është një nga praktikueset e fundit të kësaj tradite, që tërheq interes të madh nga studiues, gazetarë, si dhe turistë vendas dhe të huaj.
Sefitagic tha për Anadolu se mësoi si ta bëjë këtë punë nga vjehrra e saj. Ajo theksoi se ka udhëtuar në vende të ndryshme të botës për ta promovuar këtë traditë.
"Unë e vazhdoj traditën edhe në pleqëri, sepse është në prag të zhdukjes. Dua që të vazhdoj për shumë vjet. Mendoj se është e nevojshme. Dua t'ia kaloj pishtarin nuses sime. Ajo ishte me mua në Australi, ia mësova edhe asaj. Dua që ajo ta vazhdojë dhe kam ndërmend t'ia lë asaj", thotë Sefitagic.
- "Në fshatrat e Kosovës ende mbahen dasma tradicionale"
Medisa Sagdati-Karavidaj, e cila punon në sektorin e turizmit prej 20 vitesh, tha se është e përfshirë në aktivitete që promovojnë traditat dhe kulturën e rajonit.
Sagdati-Karavidaj deklaroi se tradita e pikturimit të fytyrës së nuses është praktikuar prej shekujsh nga boshnjakët në fshatrat pranë Prizrenit dhe se tradita të ngjashme ekzistojnë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari, megjithëse teknikat dhe format e pikturimit ndryshojnë.
Sagdati-Karavidaj shpjegoi se fytyra e nuses pikturohet duke filluar që në orët e mëngjesit të ditës së dasmës.
"Përdoren ngjyra të ndryshme dhe secila ngjyrë ka një kuptim. Përgjithësisht përdoret ngjyra e kaltër, e kuqe, e artë dhe e bardhë. Vizatohen rrathë, të cilët në kultura të ndryshme përfaqësojnë ciklin e jetës dhe shtohen pika rreth tyre. Këto përfaqësojnë farën, fillimin e diçkaje të re", shpjegoi ajo.