BALLKANI

Forumi konsultativ për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut

Është hapur sot në Prishtinë Forumi Konsultativ me programet e IPA ll për bashkëpunim Ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut 2014-2020

Agim Sulaj  | 19.03.2019 - Përdıtësım : 20.03.2019
Forumi konsultativ për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë e Veriut në koordinim me Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe me përkrahjen teknike të ofruar nga Sekretariati i Përbashkët Teknik, organizuan në Prishtinë Forumin Konsultativ dyditor - IPA II Programi për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut 2014-2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Edhe në sesionin e dytë të Forumit Konsultativ për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë - Maqedoni e Veriut prioritet për aplikim do të kenë komunat.

Sekretarja e Përgjithshme nga MAPL, Rozafa Ukimeraj tregoi se as në këtë sesion roli i komunave nuk mund të minimizohet.

“Ky program financohet nga IPA, një instrument i BE-së dhe ka një buxhet të përgjithshëm prej 8.4 milionë eurove, nga të cilat 1.8 milionë euro do të kalojnë përmes kësaj thirrjeje në dy pika kryesore. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale është kryesuese dhe kemi një strukturë të përbashkët operative dhe një sekretariat teknik me Maqedoninë e Veriut. Ne do të bashkëpunojmë edhe me delegacionin e BE-së për të siguruar një proces të suksesshëm”, theksoi Ukimeraj.

Koordinatorja e Programeve të Bashkëpunimit Ndërkufitar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë së Veriut, Mjellma Mehmeti – Petersen, tha se kanë programe që ecin mirë, por edhe të atilla që ngecin.

“Atë që ne si struktura operative duam ta pasojmë si informacion dhe si rekomandim deri tek të gjithë që janë të interesuar të implementojnë projekte është që t’i kyçen këtij procesi me një profesionalizëm pak më të madh. T’i kyçen këtij procesi me një bashkëpunim më të sinqertë me partnerët e anës tjetër të kufirit”, theksoi Mehmeti-Petersen.

Edhe në Prishtinë sikurse në Shkup, u thirrën komunat që të përgatisin projekte sa më kualitative dhe ta shfrytëzojnë këtë thirrje.

Mehmeti – Petersen tha se ky projekt nuk shfrytëzohet sa duhet. Ajo përmendi se në Maqedoninë e Veriut ka raste kur nga 90 aplikacione, janë financuar vetëm 9-të, ndërkohë që nga BE-ja kërkohen projekte që mund të dalin në opinion si shembuj pozitivë të bashkëpunimit.

Programi ka dy zyra në Kosovë, një në Gjilan dhe një në Kumanovë, të cilat në vazhdimësi kanë mbështetur komunat por edhe organizatat joqeveritare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.