Fillon "Tribunali për Gazën" në Sarajevë: Dokumentimi i krimeve të luftës dhe drejtësia për palestinezët
Ngjarja përfaqëson një hap kyç në misionin e Tribunalit për të dokumentuar krimet e luftës, për të adresuar boshllëqet e llogaridhënies në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë dhe angazhohet për drejtësi për palestinezët

Sarajevë
"Tribunali për Gazën", një iniciativë e pavarur e shoqërisë civile e themeluar si "tribunal i popullit", po mban kuvendin e parë publik katërditorë në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, gjatë të cilit do të shqyrtohen raportet hetimore, do të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve dhe do të diskutohet për një draft-deklaratë, raporton Anadolu.
Ngjarja përfaqëson një hap kyç në misionin e Tribunalit për të dokumentuar krimet e luftës, për të adresuar boshllëqet e llogaridhënies në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë dhe angazhohet për drejtësi për palestinezët.
"Tribunali për Gazën" u ngrit formalisht në Londër në nëntor 2024 nga një koalicion akademikësh, intelektualësh, avokatësh të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në përgjigje të asaj që ata e përshkruajnë si "dështimi i plotë i komunitetit të organizuar ndërkombëtar për të zbatuar ligjin ndërkombëtar" në Gaza.
I udhëhequr nga Richard Falk, ekspert i njohur i të drejtës ndërkombëtare dhe ish-raportues special i OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, Tribunali pozicionohet si një përpjekje për të "mbyllur hendekun e zbatimit të ligjit duke ushtruar presion të shoqërisë civile mbi qeveritë për të vepruar". Ai "e merr autoritetin e tij nga njerëzit dhe ndjenjën e tyre për drejtësi, në vend që të mbështetet vetëm te qeveritë dhe institucionet e tyre".
Ngjarja në Sarajevë shënon një përparim të rëndësishëm në krahasim me takimet e mëparshme përgatitore të Tribunalit dhe seancat strategjike të mbajtura në Londër (shkurt 2025), Stamboll (shkurt 2025) dhe Alicante (maj 2025).
Takimet e mëparshme u fokusuan në çështjet procedurale dhe koordinimin strategjik në përgatitje të këtij takimi publik.
Sesioni në Sarajevë mblodhi së bashku Komitetin Drejtues të Tribunalit, këshillat e specializuar, Këshillin Këshillimor të Politikave dhe dëshmitarët ekspertë për katër ditë debate publike. Gjatë asamblesë katërditore, pjesëmarrësit do të shqyrtojnë raportet hetimore, do të dëgjojnë dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve dhe do të diskutojnë Draft Deklaratën - një dokument gjithëpërfshirës që duhet të shërbejë si referencë për llogaridhënien dhe parandalimin e situatave të ngjashme në mbarë botën.
"Tribunali për Gazën" vepron përmes një organizate të strukturuar që përfshin një Bord drejtues, tre këshilla të specializuar, një Departament për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rendin botëror, një Departamenti për histori, etikë dhe filozofi si dhe organe administrative dhe komitete mbështetëse.
Çdo këshill do të paraqesë gjetjet dhe rekomandimet e tij gjatë asamblesë në Sarajevë.
Pas Sarajevës, në seancën kryesore, e cila është një nga fazat më të rëndësishme të "Tribunalit për Gazën" dhe do të mbahet në Stamboll në tetor të këtij viti, komisioni, i cili përfshin ekspertë në fushën e ligjit, kulturës, politikës dhe shoqërisë civile, do të dëgjojë dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve dhe do të publikojë një draft të vendimit përfundimtar. Gjithashtu, vendimet që përmbajnë autorizime dhe rekomandime specifike do të publikohen në përputhje me zhvillimet më të fundit në lidhje me procesin përpara "Tribunalit për Gazën".
"Tribunali për Gazën" u themelua kryesisht për të hetuar dhe vlerësuar akuzat për krime ndërkombëtare, përfshirë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe gjenocid, të kryera nga Izraeli pas 7 tetorit 2023.
Gjykata njihet si një nismë e organizuar nga mbrojtësit përkatës të të drejtave të njeriut, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare ndërkombëtare dhe rajonale që merren me shkeljet e të drejtave të njeriut në Rripin e Gazës. E themeluar si një nismë e pavarur, gjykata synon të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar duke vënë në rendin e ditës shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të popullit palestinez.
Në kuadër të seancave, ku anëtarët e gjykatës do të fokusohen në dimensionet e krizës humanitare në Gaza, fokusi do të jetë edhe në mungesën e llogaridhënies për krimet e vazhdueshme të luftës të Izraelit si dhe në dëshmitë e individëve dhe organizatave joqeveritare të prekura nga këto krime. Izraeli do të gjykohet në mungesë për gjenocid dhe krime lufte në Gaza.
Synimi është që gjykata të zhvillojë procedurat në mënyrë plotësisht transparente, të funksionojë e pavarur nga qarqet ndërkombëtare të pushtetit dhe pa kufizime dhe të përfundojë detyrën e saj brenda një afati të mundshëm.
"Tribunali për Gazën" synon të ofrojë forum alternativ për shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilat institucionet gjyqësore ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) nuk mund t'i adresojnë për shkak të ndikimit politik ose kërkojnë shumë kohë për të përfunduar çështjet. Në këtë kuptim, gjykata nuk është alternativë ndaj GJNP-së dhe GJND-së, por synon të mbështesë këto institucione, me synimin për të prodhuar rezultate të besueshme ligjërisht dhe për të rritur ndërgjegjësimin global.
Sot në Sarajevë do të mbahet seanca me titull "E drejta ndërkombëtare". Ky sesion do të shqyrtojë shkeljet sistematike të kuadrit ligjor ndërkombëtar, përfshirë ngjarjet e Nakba-s, manifestimet e qëllimit gjenocidal dhe dështimet për të mbrojtur civilët.
"Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rendi botëror", më 27 maj, do të fokusohet në rrethanat gjeopolitike, ekonominë politike të gjenocidit, boshllëqet e llogaridhënies në qeverisjen globale dhe reagimet e shoqërisë civile.
"Etika dhe filozofia", më 28 maj, do të fokusohet në kontekstin historik të çështjes palestineze, themelet e saj ideologjike, rezistencën ndaj gjenocidit dhe politikën e kujtesës dhe narrativave mediatike.
Sesionet katërditore do të përfundojnë me një debat të posaçëm për Srebrenicën dhe Gazën më 29 maj, pas së cilës do të nxirret Deklarata e Sarajevës.