Fillon në Shkup Festivali Veror Olimpik Evropian për të Rinj 2025
Festivali EYOF 2025, me sloganin "Luajmë së bashku, shkëlqejmë së bashku", mbledh së bashku mbi 4.000 pjesëmarrës të moshës 14-18 vjeç nga vendet dhe ekipet pjesëmarrëse

Shkup
Festivali i 18-të Veror Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF 2025) filloi me ceremoninë e hapjes të mbajtur në Shkup, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e hapjes të mbajtur në sallën sportive “Jane Sandanski” në Shkup, në paradë morën pjesë 48 vendet evropiane pjesëmarrëse në EYOF 2025, ekipi i refugjatëve i Komitetit Olimpik Evropian dhe ekipi i Komitetit Olimpik Kombëtar të Bjellorusisë.
Duke folur në ceremoninë e hapjes së festivalit, të organizuar me sloganin "Luajmë së bashku, shkëlqejmë së bashku", presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova tha se është një nder i madh të qenurit vendi pritës i EYOF-it veror, i cili mblodhi së bashku më shumë se 4.000 atletë që manifestojnë anën e bukur të së tashmes dhe garantojnë të ardhmen e ndritur të sportit evropian dhe botëror.
"Ne me guxim dhe kënaqësi e pranuam sfidën për ta organizuar dhe realizuar këtë ngjarje", tha Siljanovska Davkova.
"Unë besoj se si shtet, si shoqëri dhe si qytetarë do të tregojmë dhe dëshmojmë edhe një herë se jemi humanë dhe mikpritës të mirë", tha Siljanovska Davkova, duke e shpallur EYOF-in të hapur.
President i Komiteteve Olimpike Evropiane, Spyros Kapralos, nga ana tjetër, theksoi se janë krenarë që Maqedonia e Veriut është bërë vendi i 17-të pritës i EYOF-it veror, duke shprehur bindje se "ky edicion do të mbahet mend për energjinë dhe shpirtin e tij të ngrohtë".
Ai gjithashtu shprehu falënderime të sinqerta për miqtë e tyre në Osijek të Kroacisë, të cilët ndërmorën organizimin e ngjarjeve të gjimnastikës.
"Është një shembull vërtet i shkëlqyer i bashkëpunimit evropian", tha ai.
Si pjesë e programit u mbajt edhe një koncert.
Festivali mbledh së bashku mbi 4.000 pjesëmarrës të moshës 14-18 vjeç nga vendet dhe ekipet pjesëmarrëse.
Vendi kryesor ku do të mbahen eventet sportive, që do të përfshijë 15 sporte, do të jetë kryeqyteti Shkupi. Garat në disa disiplina do të zhvillohen në Kumanovë, ndërsa garat e gjimnastikës artistike do të zhvillohen në Osijek të Kroacisë.
Në EYOF 2025, ekipet do të garojnë në qitje, atletikë, badminton, basketboll, basketboll 3x3, çiklizëm rrugor, çiklizëm malor, gjimnastikë artistike, xhudo, kanoe në sllallom, pingpong, hendboll, volejboll, taekwondo dhe not.
Festivali do të përfundojë më 26 korrik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.