BALLKANI

Fillon me tensione sesioni i ri parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë

Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD) kërkuan largimin nga salla të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke bllokuar foltoren

Fatjon Cuka  | 19.01.2026 - Përdıtësım : 19.01.2026
Fillon me tensione sesioni i ri parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Sesioni i ri parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë filloi sot, ndërkohë seanca e parë u shoqërua me tensione dhe debate, raporton Anadolu.

Tensionet filluan që në nisje të seancës, pasi deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD) kërkuan largimin nga salla të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku është marrë e pandehur për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" dhe sipas opozitës nuk duhet të qëndrojë në Kuvend, por "t'i dorëzohet drejtësisë".

Deputetët e PD-së bllokuan foltoren deri në përfundim të seancës e cila zgjati rreth 20 minuta.

Sipas PD-së, opozita ka këmbëngulur prej ditësh në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim hapjen e procedurave për heqjen e imunitetit të Ballukut.

- Peleshi: Agjenda integruese në BE, do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, gjatë fjalës në hapje të seancës u shpreh se do të ketë më shumë ligje për të shqyrtuar, më shumë detyra për komisionet, më shumë raporte dhe kontroll, më shumë monitorim të reformave dhe më shumë pritshmëri nga publiku.

"Agjenda integruese në Bashkimin Evropian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t'u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste", tha Peleshi.

Kryeparlamentari Peleshi ka theksuar se këtë vit duhet më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj agjendës evropiane.


- Mesazh nga presidenti Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u dërgoi sot një mesazh deputetëve të Kuvendit Shqipërisë me rastin e fillimit të sesionit të ri parlamentar, ku theksoi se Kuvendi nis një gjashtëmujor vendimtar, të mbushur me nisma reformuese dhe përgjegjësi të larta shtetformuese.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipëridsë, Begaj nënvizoi se çdo iniciativë ligjore duhet t'i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve dhe objektivit strategjik të Shqipërisë, sipas tij, anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Ai kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, kërkon reforma të thella dhe punë intensive. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar", thuhet në mesazhin e Begajt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın