BALLKANI

Fillon gjykimi për tragjedinë e zjarrit në Koçan

Çështja përfshin 38 të pandehur, 35 individë dhe tre persona juridikë, të cilët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë publike

Dzihat Aliju  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Fillon gjykimi për tragjedinë e zjarrit në Koçan Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

Sot ka filluar zyrtarisht gjykimi për rastin e zjarrit tragjik që ndodhi në një klub nate në mars të këtij viti në qytetin e Koçanit të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.

Gjykimi filloi në sallën e gjyqit të Institucionit ndëshkues-përmirësues Idrizovë, ndërsa janë marra masa të përforcuara sigurie dhe është vendosur një ekip mjekësor.

Përveç seancës së sotme, gjatë këtij muaji, gjykata ka caktuar seanca edhe për 25 dhe 26 nëntor.

Çështja përfshin 38 të pandehur, 35 individë dhe tre persona juridikë, të cilët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë publike.

Në mesin e të pandehurve janë pronarë të lokalit, menaxherë, inspektorë, ish-ministra, ish-kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë.

Procesi do të drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, dhe prokuroria do të përfaqësohet nga një ekip i zgjeruar prej 15 prokurorësh publikë, me qëllim sigurimin e një procedure efikase dhe të drejtë.

Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese dhe si pasojë jetën e humbën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Nga hetimet pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.