Kulturë, BALLKANI

Filarmonia e Kosovës hap sezonin koncertal 2026 me koncert festiv në Prishtinë

Programi solli një kombinim të veçantë të repertorit ndërkombëtar dhe atij shqiptar, duke reflektuar larminë e shprehjeve muzikore dhe identitetin kombëtar

Agim Sulaj  | 23.01.2026 - Përdıtësım : 23.01.2026
Filarmonia e Kosovës hap sezonin koncertal 2026 me koncert festiv në Prishtinë Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Filarmonia e Kosovës ka hapur zyrtarisht sezonin koncertal për vitin 2026 më 23 janar, me një koncert festiv që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, raporton Anadolu.

Koncerti u drejtua nga dirigjenti italian Marco Crispo, ndërsa soliste e ftuar e mbrëmjes ishte flautistja franceze Iris Daverio, ku në program ishte edhe poema simfonike e kompozitorit Fahri Beqiri dhe “Zogu i Zjarrtë” nga Igor Stravinsky (Suita 1919).

Programi solli një kombinim të veçantë të repertorit ndërkombëtar dhe atij shqiptar, duke reflektuar larminë e shprehjeve muzikore dhe identitetin kombëtar.

Sipas Filarmonisë së Kosovës, ky koncert synon të krijojë një dialog mes traditës dhe modernitetit, duke reflektuar një vizion artistik që i flet njëkohësisht publikut vendor dhe atij ndërkombëtar.

Hapja e sezonit koncertal 2026 shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në jetën kulturore të vendit, duke ftuar publikun që ta nisë vitin e ri me muzikë klasike të nivelit të lartë.

Gjatë vitit të kaluar, Filarmonia e Kosovës ka lëvizur në Bernë, Sofje, Hamburg, Romë e në vendet e rajonit, me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj si institucion kulturor. Sivjet, pos rritjes artistike, Filarmonia ka në plan të mbajë koncerte edhe në Berlin, Varshavë e qendra të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın